Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, para pak muajsh nxori për një provë prototipin e fundit të TOGG, makinës së parë të zhvilluar në vend. Gjatë kohës që ndoqi një ceremoni çmimesh në Luginën e Informatikës Gebze në provincën veriperëndimore të Kocaelit. TOGG është një sipërmarrje e përbashkët turke e kompanive që variojnë nga fondet e investimeve tek elektronika dhe prodhimi. Emri i saj i plotë është Turkish Automobile Joint Venture Group Inc dhe u themelua në vitin 2018 me qëllim të projektimit dhe prodhimit të makinave elektrike brenda vendit.
Kompania fillimisht paraqiti dy modele, një sedan dhe një SUV, me tre modele të tjera që do të ndiqen me pesë modele të ndryshme deri në vitin 2030. SUV elektrik Togg C, është makina e parë që doli nga fabrika e re në Gemlik, e cila ishte hapur javën e kaluar. Fillimisht bateritë dhe motorët elektrikë do të merren nga kompani të huaja, por Togg, duke qenë një kompani kombëtare, dëshiron që çdo komponent i makinës të prodhohet në Turqi, ndërsa makina bazohet në një platformë të dizajnuar nga vetë prodhuesi, platformë e cila në të ardhmen do të instalohet tek të gjitha 5 modelet e makinave elektrike Togg. Versioni standard i makinës me sa duket shpejtësinë nga 0 në 100 km/h do ta arrijë në vetëm 7.8 sekonda, ndërsa versioni AWD e bën këtë për 4.8 sekonda.
Mbi të gjitha dy opsionet e baterive do të ofrojnë ose 300 km ose 500 km rreze karikimi. Çmimi fillestar për modelin bazë është rreth 48,500 euro dhe kompania do t’ua shesë direkt klientëve, duke përdorur modelin e shitjeve si të Tesla-s. Showroom-i i parë do të hapet në Stamboll më vonë këtë muaj dhe përfundimisht Togg do të ketë 20 showroom-e në të gjithë vendin. Fabrika e re planifikon që të prodhojë rreth 17 ose 18 mijë automjete vitin e ardhshëm me një kapacitet të synuar prej 150,000 njësi kur fillon prodhimi me kapacitet të plotë.