Në maj të këtij viti u njohëm me kapitullin e pestë të “Mad Max” – Furiosa, që është në fakt preludi i asaj që ndodhi tek “Fury Road” kur personazhi në fjalë luhej nga Charlize Theron. Theron, së fundmi, ka dhënë vlerësimin më të lartë për filmin dhe interpretimin e Anya Taylor-Joy edhe pse planet përpara pandemisë ishin që ajo dhe Tom Hardy të ri-merrni rolet e tyre për të realizuar projektin e mbiquajtur ‘The Wasteland’, plane të cilat mesa duket ndryshuan rrugës. E nëse shumica e publikut njeh vetëm dy filmat e fundit të australianit Miller, cinefilët e vërtetë e dinë që saga nisi në fund të viteve ’70 me protagonist një Mel Gibson 23 vjeçar madje shumë më ndryshe nga utopia – post – apokaliptike e filmave të fundit. E nëse filmi i parë i sagës doli në 1979, George Miller tashmë është 79 vjeç dhe nuk ka ndërmend të ulë ritmin. Pasioni i tij për të treguar historitë e Wasteland-it dhe Max Rockatansky-t vazhdon të jetë i njëjti i fillimit. Miller shkroi filmin e parë me James McCausland dhe e prodhoi vetë me ndihmën e një studenti mjekësie Byron Kennedy, që rrugës u bë një mik dhe bashkëpunëtor kryesor. Edhe pse filmi nuk kishte asgjë në favor të tij, bëri 400.000 $ në sallat e kinemave duke u futur në Librin e Rekordeve Guinness për filmin më fitimprurës të kohës. Po aq, filmi u kritikua tepër për shkak të skenave të forta të dhunës që përmbante. Atë kohë vetëm 33 vjeç, Miller është përgjegjës për nisjen e asaj që quhet lëvizja ‘New Wave’ në kinemanë australiane duke hyrë në histori si një nga filmat më të rëndësishëm të zhanrit fanta-shkencë.
Miller dhe Kennedy do të nxirrnin edhe dy filma të tjerë brenda pak viteve nga i pari, me po Mel Gibson si Max, por interesi i regjisorit për krijesën e tij do të shuhej mbas humbjes së mikut dhe bashkëpunëtorit të tij krejt tragjikisht. Ikja e Byron, në 1983, e bëri George të mendonte se me të kapitulli Mad Max u mbyll. Por mijëvjeçari i ri do të sillte zhvillime të reja, dhe në 1998, Miller filloi të mendonte për rikthimin e sagës duke shkruar atë që do të kthehej në “Mad Max: Fury Road” (2015). Filmi mori një kandidaturë për çmim Oscar, si edhe e njohu regjisorin që deri atëhere njihej nga brezi i ri për “Happy Feet (2006), për diçka krejt tjetër. Filmi po ashtu u mbështet fort nga kritika që e kurorëzoi atë një nga më të mirët në historinë e kinemasë.
Mbas veprës së tij të fundit, që tregon anën e Perandoreshës Furiosa, i pari film që nuk ka Max në të, Miller ka premtuar që do të ketë edhe një film që do të mbushë hapësirën nga Mad Max-i i 1985 deri tek Fury Road.
Një të shtunë të ngeshme vendosa të shoh të 5 filmat, njëri pas tjetrit. Përtej dhimbjes së kokës nga aksioni që nuk ndalon thuajse asnjëherë, kjo është renditja e tyre nga më pak i miri, tek më i shkëlqyeri. Modestisht të kuptohemi…
5. Mad Max Beyond Thunderdome (1985)
Kapitulli i tretë i Mad Max e gjeti Miller-in në mes të lëngatës për bashkëpunëtorin e tij Byron Kennedy, i cili mbeti pa jetë nga një aksident me helikopter. Miller e pati të vështirë të përfundonte filmin për shkak të gjendjes së tij jo të mirë shpirtërore. Kjo është arsyeja pse ky është i vetmi rast përgjatë sagës që filmi ka dy regjisorë. George Ogilvie, miku i tij, regjisor teatri u ofrua për të ndihmuar me filmin. I vetmi rast që një film i sagës mund të shihet nga minorenë (në shoqërinë e prindërve kuptohet) ky është një kapitull i rëndësishëm për të kuptuar atë që ndodh në dy filmat e mëpasshëm. Është hera e parë që njihemi me qytetërimin post-apokaliptik, hera e parë që njihemi me një nga qytetet e reja të njerëzimit që tashmë është shumë bazik. Breza të cilët nuk e dinë që e shkuara e qyteteve me qiell-gërvishtëse dhe teknologji nuk ekziston më, por që vazhdojnë të besojnë që mund të kthehen atje. Realiteti i tyre është i egër – i ngjashëm me mesjetën. Barbertown, një nga qytetet, ka njerëz të cilët udhëhiqen nga një gjë e vetme – instikti për mbijetesë – diçka që çimentohet në dy filmat pas Thunderdome. Hera e fundit e Gibson në rolin e Max do ta gjejë atë në krah të Tina Turner e cila luan Aunty Entity. Max i kësaj serie është shumë më i zbutur, një personazh që mund ta krahasosh lehtësisht me “Indiana Jones” apo “Peter Pan” ndryshe nga dy paraardhësit. Edhe pse kënga e filmit që Turner interpretoi “We Don’t Need Another Hero (Thunderdome)” mori një kandidaturë për çmimin Grammy, ajo si aktore është e ngjashme me Whitney Houston tek aventura me Kevin Costner tek “The bodyguard”, larg pritshmërive. Thunderdome, edhe pse ka një gjenialitet në krijimin e botës utopike ku shoqëritë që mbijetuan frymojnë, është më i avashti nga të gjithë filmat, po ashtu ai që vizualisht bën më pak se të tjerët.
4. Mad Max (1979)
Fillimi i Mad Max si sagë është ai që ka më shumë lidhje me realitetin ku jetojmë, (apo duhet të them jetonim). Max është një polic patrullimi i cili mundohet të mbajë të sigurta rrugët e qytezës së tij derisa një bandë keqbërësish do të jetë fundi i tij si polic. Ai do të humbasë gjithçka për t’u kthyer në fund në Max-in e tërbuar që do të marrë gjyqësinë në duart e tij. Miller në këtë film ka balancuar shumë bukur botën që njohim e cila po vdes, me të renë që po krijohet për shkak të babëzisë së njerzve. Edhe pse filmi kur doli morri një vulë si një film tejet i dhunshëm, parë me sytë e sotëm nuk të duket edhe aq. Është shumë e rëndësishme të shihet fillimi i kësaj historie, dhe Miller e ka treguar në mënyrë briliante. Max-in e njohim në të gjithë spektrin e përjetimeve të tij. Arrijmë të jemi dëshmitarë në krijimin e një heroi apo anit-heroi që lexohet pa shumë artifica. Sigurisht skenat aksion të krahasuara me ato që do të pasonin në kinema – edhe për shkak të efekteve speciale kompjuterike – nuk janë ndër më të bukurat, por kur mendon realizimin e tyre në një kohë që nuk kishte thuajse asgjë fiton një rrepsekt maksimal për filmin.
3. Mad Max 2 (1981)
E nëse Fury Road do të ishte prezantimi i kësaj historie me një publik të gjërë dhe të ri, ky film është i pari nga 3 ‘origjinalët’ që dashamirësit e kinemasë njohin dhe duan. Të mikluar nga suksesi i debutimit të tyre, Miller dhe Kennedy do ta çonin Max-in në një nivel tjetër frymëzimi, diçka që përkonte me zhvillimet historike të kohës. Frymëzuar nga “Seven Samurai” (1954) nga Kurosawa, Max në filmin që në SHBA doli me titullin “The Road Warrior” (Luftëtari i rrugës) e gjen veten në mbrojtje të një komuniteti që sulmohet për shkak të pusit të tyre të naftës. Ndjekja në rrugë e botit, është një nga më të bukurat e filmave aksion në histori, duke faktorizuar edhe kontekstin kohë. Ky është filmi ku Max shndërrohet në figurën legjendare që njohim sot, një personazh që do të frymëzonte të ngjashmit e filmave të zhanrit për dekadat në vijim.
2. Furiosa: A Mad Max Saga (2024)
Ky është dështimi më i madh në box office i një titulli me fjalët Mad Max, debutimi më i dobët në 3 dekada me vetëm 32 milion dollarë të arkëtuara në fundjavën e premierës. Ndërkaq që filmi ka kushtuar 175 milionë për t’u realizuar që e bën atë filmin më të kushtueshëm në historinë e kinemasë australiane. Dështimi i parë dhe urojmë i fundit për Miller. 79 vjeçari tregon historinë e Furiosa-s, bashkëudhetarën e Max tek “Fury Road”, një copëz e rëndësishme e formueses për të kuptuar se si bota përfundoi në këtë pikë që e shohim. Përtej punës fantastike që Taylor-Joy ka bërë për të mbushur këpucët e Theron, si edhe rikthimit të disa personazheve që i kemi parë tek filmi i mëparshëm. Prezantimi i personazheve të rinj, udhëhiqet nga Chris Hemsworth si Dementor, një figurë disi e stisur, dy-dimensionale. Filmi të jep disi dhimbje koke vende vende nga ndarja në kapituj dhe forma e re e tregimit në krahasim me të tjerët. Po ashtu skenat e aksionit me përdorimin e tepërt të CGI (efekteve kompjuterike) janë disi më të thata dhe të japin më pak adrenalinë.
1. Mad Max: Fury Road (2015)
U deshën plot dy dekada për te realizuar këtë triumf. Një film plot imagjinatë dhe eksperimentim, në absolut një prej më të mirëve të zhanrit në të gjitha kohërat. Është ç’bërja e heroit para syve të tu, vlera e komunitetit, edhe gjithçka ndodh në ecje e sipër, pa ndaluar [thuajse] as edhe një sekondë.
Besojeni apo jo, 90% e filmit është xhiruar pa efekte kompjuterike, me 150 kaskadorë, një pjesë e mirë e të cilëve performues të cirkut me famë ndërkombëtare Cirque Du Soleil, ku regjisori i dytë Guy Norris, ka po aq rëndësi sa Z. Miller. Përjetimi i shikimit të këtij filmi është i një bote tjetër. Arrin të ndjesh çdo gjë, nxehtësinë e shkretëtirës, erën e benzinës, frikën e personazheve. Përmes teknikave në xhirim e montazh që në këtë film janë persosur përtej përsosmërisë.
Tom Hardy si Max, kalon edhe interpretimin e Mel Gibson, duke i dhënë një ndjeshmëri tjetër personazhit, ndihmuar edhe nga kimia fantastike me Charlize Theron (Furiosa). E nëse instikti i mbijetesës është e vetmja gjë e ngelur për banorët e Wasteland-it, për herë të parë e shohim që shpresa për t’ia dalë, si njerëz, kur jemi bashkë prevalon mbi egon. Konflikti (mes Immortan Joe (Hugh Keays-Byrne) dhe të tijve) mes të mirës dhe së keqes, lufta për t’ia dalë për t’u bërë bashkë e për të rrëmbyer atë që u vodh e bën këtë film jo vetëm më të mirin e sagës, por edhe një prej më të mirëve, të paktën të kohës sime.