Në mesnatë, në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë u zhvillua mesha e Krishtlindjes, e drejtuar nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Gjatë fjalimit të tij, kleriku katolik bëri thirrje për paqe, ndërsa shtoi se kjo festë është momenti më i mirë për ta falënderuar Zotin. Ndërkaq solli në vëmendje mungesën e paqes në shumë vende.
Lutem për paqe në botë sepse [mungesa e paqes] në shumë vende është duke e shkatërruar fatin e shumë njerëzve, jetën e shumë të pafajshmëve dhe ne që e kemi përjetuar këtë të keqe, duhet të angazhohemi që të ruajmë paqen pas nesh!
Gjithashtu, një tjetër pjesë të fjalimit ia kushtoi “të gjithë njerëzve që janë në nevojë, të sëmurëve, si edhe atyre të cilëve iu mungojnë kujdesi e dashuria”.
Krishtlindja është data më e rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera dhe çdo vit festohet në natën mes 24 e 25 dhjetorit. Po për Krishtlindje, në Prishtinë mbahen edhe dy mesha të tjera: në Katedralen Nënë Terezë e në Kishën e Shën Ndout.
Me rastin e festës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi një familje katolike në Prizren. Në Facebook, Osmani shkroi:
Kësaj radhe, bashkë me Prindonin, qëndruam në familjen Laçi në Prizren. Aty ku mikëpritja, tradita e filigranit dhe bashkimi i familjes me pjesën nga mërgata i japin sharm atmosferës festive.