Aktualitet

Lulzim Basha në SPAK/Pyetet për Toyota Yaris!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është paraqitur në SPAK për t’u pyetur në lidhje me çështjen e Toyota Yaris. Burime për gazetaren Anila Hoxha thanë se letër-porosia ka ardhur për Gjykatën e Posaçme nga gjyqtari i hetimeve paraprake, Laurence Heusghem, i cili i kërkon Prokurorisë të pyesë kryedemokratin në lidhje me një deklaratë për Toyota Yaris,  ku u bllokuan 3.4 milion euro.

Autoritetet belge që gjithashtu po zhvillojnë hetime për Toyota Yaris-in, i kërkojnë prokurorëve Doloresa Musabelliu dhe Eneid Nakuçi t’i drejtojnë kryedemokratit tre pyetje, ku kërkohet përgjigje mbi mënyrën si u informua për praninë e vlerave monetare, cilat janë ekzaktësisht këto informacione dhe kush ia dha?

Heusghem kërkon të dijë nëse ekziston një dosje me dëshminë e Lulzim Bashës dhe nëse do t’i vendoset në dispozicion një kopje.

Kujtojmë se kreu i PD-së, Lulzim Basha është pyetur edhe më parë në lidhje me këto rrethana nga Prokuroria e kryeqytetit dhe kjo dëshmi është tërhequr nga prokurorët e krimeve të rënda, të cilët ende nuk kanë vendosur nëse do t’i marrin si të mirëqena deklaratat e tetorit të 2018-ës apo do ta ripyesin si dëshmitar.

Basha e bëri denoncimin në qershor të 2018-ës ku nga salla e Kuvendit akuzoi Taulant Ballën për lidhje me një sasi prej 1.5 milion eurosh që do të vinte nga Gjermania me një makina Toyota Yaris.

Zgërdhihuni! Ai që zgërdhihet aty ishte edhe para tre ditësh në Gjermani. Të kanë zbuluar “Toyota Yaris” o zgërdhitës me 1.5 milionë euro të drogës brenda, vazhdo qesh zgërdhitës. Shkonte në Gjermani iu thoshte ne s’kemi probleme, s’kemi drogë, korrupsioni po luftohet!

Policia shqiptare në bashkëpunim me Interpolin italian gjetën rreth 3.5 milion euro të fshehura në dy makina Toyota Yaris. Mjetet vinin nga Belgjika dhe kaluan tranzit në Itali. Basha u paraqit në datë 25 korrik 2019 për të dhënë shpjegime përpara belgut Heusghem për denoncimin që bëri në Kuvend, dy ditë para se të bllokoheshin në Portin e Durrësit automjetet që vinin nga Belgjika, në të cilat ishte fshehur shuma prej 3.4 milion eurosh.