Politikë

Lulzim Basha i kërkon BE-së të përqëndrojë energjinë e saj drejt marrëveshjes për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

Kryedemokrati Lulzim Basha i ka kërkuar Bashkimit Europian që të përqëndrojë energjinë e saj drejt marrëveshjes përfundimtare të njohjes reciproke midis Kosovës dhe Serbisë.  Gjatë fjalës së tij në samitin e Partive Popullore Europiane (PPE) i cili filloi punimet ditën e sotme, Basha u shpreh se asnjë argument nuk mund të justifikojë mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Remineshencat e një të kaluare jo shumë të largët, të përziera me interesa gjeo-strategjike të fuqive jo-perëndimore, janë një fitil që mund të ndizet nga momenti në moment. Siç e dimë të gjithë, problemet e pazgjidhura shumë lehtë mund të kthehen në kriza. Kjo është arsyeja pse është jetike për BE-në që të përqëndrojë energjinë e saj drejt marrëveshjes përfundimtare të njohjes reciproke midis Kosovës dhe Serbisë- tha Basha.

Ai e ka konsideruar këtë gjë si një domosdoshmëri që Ballkani Perëndimor të hyjë në një epokë të re të bashkëpunimit dhe zhvillimit.