Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë në kryeqytet po mbahet ceremonia për nder të Luiza Gegës, e cila u shpall kampione e Europës në atletikë në garën 3000 m me pengesa në Gjermani. E veshur me ngjyrat kuqezi Gega bëri “paradë” me një makinë të kuqe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Kampionia Luiza Gega ka falenderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugën e saj për t’u bërë kampione Europe, teksa ka treguar edhe vështirësitë e këtij rrugëtimi. Në ceremoninë që u mbajt në nder të saj në Kryeministri, Luiza tha se donte ta bënte vendin e saj krenar. Ndër të tjera, ajo ka thënë se ka pasur oferta edhe nga vende të tjera, por ka refuzuar për shkak të dashurisë për Shqipërinë.
Sot ndihem më e emocionuar se kurrë, vendosa të vij me ngjyrat kuqezi sepse ndihem më krenare se kurrë. Jo për atë që arrita, por doja t’i tregoja edhe Europës që ne mundemi. Jemi një vend i vogël, por me punë mund t’ia dalim. Familja ka sakrifikuar shumë, besoj që kam arritur t’i bëj krenar. Falenderoj trajnerin tim, pa të cilin nuk do isha sot këtu, as në majat më të larta të Europës. Ndihem më e vlerësuar se kurrë. Sporti kërkon pasion, por edhe mbështetja financiare është e rëndësishme për të ecur para. Sporti nuk do t’ia dijë për politikë. Ne ndiejmë krenarinë e vendit tonë, duam ta bëjmë vendin tonë sa më krenar. Dua të kthehem pak në kohë sepse dua të tregoj me pak fjalë si ka nisur rrugëtimi jonë. Unë kam marrë pjesë në kampionatin europian para 12 vitesh. Dola nga fundi dhe me diferencë. Nuk isha ndjerë kurrë kaq keq. Biseda ime me trajnerin ishte që unë kurrë nuk do e përfaqësoj vendin tim në këtë formë. Aty ishte ndarja se çfarë doja të bëja. Nëse doja ta prezantoja duhet të punoja fort. Rruga nuk ishte e lehtë, jam stërvitur në shi, në të ftohtë. Filluam të bëjmë hapa jo të mëdhenj, por të sigurt. Fillova të thyej rekorde kombëtare, të dominoj Ballkanin, pastaj në Lojërat Mesdhetare. Vendosa për të mos u dorëzuar. Kam pasur oferta për të vazhduar me vende të tjera. Por unë e dua këtë vend. Unë besoj që vendi ynë do ndryshoj. Nuk është kurrë vonë nëse punon dhe do t’ia dalësh. Kam ndjerë shumë emocione në pistën e Mynihut, pavarësisht se kam qenë pretendente. Ishte arsyeja pse e doja medaljen, t’i tregoja edhe Europës në një pistë me 70 mijë veta që ne mund t’ia dalim. Dua t’i them vetëm dy fjalë gjithë të rinjve: Mund t’ia dalin! Uroj që sado pak t’i kem motivuar, me gjithë ato vështirësitë që unë përmenda sot. Falenderoj gjithë njerëzit në vendin tim që janë ndjerë krenar për mua, kam marrë mesazhe nga të gjithë.