Bota

Luftimet në Bakhmut, Moska intensifikon presionin/Kievi nuk dorëzohet!

Ushtria ukrainase raporton se “Rusia vazhdon sulmet e pandërprera në Bakhmut, duke synuar objektivat civile”. Ndërkohë, presidenti Volodymyr Zelensky zotohet se do të vazhdojë ta mbrojë qytetin në rajonin lindor të Donjeckut e t’i shkaktojë humbje të mëdha armikut.  Në konferencën e ditës së sotme, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës deklaroi:

Përgjatë vijës së frontit në lindje, me fokus në Bakhmut, Rusia nisi më shumë se 90 sulme të pasuksesshme.   Përveç Bakhmutit, i cili ka qenë epiqendra e luftimeve për muaj me radhë, forcat ruse përqendruan përpjekjet sulmuese në kryerjen e operacioneve në drejtimet Lyman, Avdijivka e Shahtarsk.

Një ditë më parë, zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Malyar i tha televizionit ukrainas se luftime të ashpra po zhvillohen edhe rreth Kreminës e vendbanimeve të tjera në veri të Bakhmutit.

Në rrjetet sociale, shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin postoi një video ku shihet në qendër të Bakhmutit dhe aty e pranon se luftëtarët e tij po përballen me shumë vështirësi për të marrë kontrollin e qytetit.

Mbi 90 për qind e banorëve janë larguar, shumica e qytetit është nën rrënoja, qindra mijëra persona janë vrarë dhe rëndësia strategjike është minimizuar nga shefat e Pentagonit e të NATO-s.

“Fortesën e Bakhmutit”, presidenti Zelensky e përshkroi si simbol të sfidës, që po përgjak ushtrinë ruse. Për Moskën, rënia e qytetit që i referohet me emrin e epokës sovjetike, Artiomovsk, do të ishte e para fitore e madhe që nga mesi i vitit të kaluar. Po ashtu do të ishte një shtytje për luftën e saj të gjerë kundër Ukrainës.

Lufta për Bakhmutin është konsideruar si një prej betejave më të ashpra prej kohër kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. Qyteti ka qenë dëshmitar i masakrave edhe në të kaluarën. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat pushtuese naziste grumbulluan 3 mijë hebrenj në një minierë dhe i vranë.