Bota

Luftime të ashpra në kufirin libanezo-izraelit!

Gjatë natës dhe në orët e mëngjesit, Hezbollahu pro-iranian lëshoi ​​disa raketa në veri të Izraelit, mes tensioneve në rritje në kufirin libanezo-izraelit.

Hezbollah bëri të ditur se ka lëshuar me dhjetëra raketa, në hakmarrje për sulmet me dronë izraelitë, të cilat rezultuan në vdekjen e pesë sirianëve, përfshirë tre fëmijë, sipas medias shtetërore.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve (NNA) njoftoi se u vranë fëmijë të moshës midis 5 dhe 10 vjeç në qytetin Am Toot. Në një postim në platformën X, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se Hezbollahu ka lëshuar më shumë se 50 predha drejt Izraelit.

Ushtria izraelite nuk raportoi të plagosur dhe deklaroi se disa nga raketat u kapën. Disa të tjera ranë në zona jo të banuara.

Si përgjigje, forcat ajrore izraelite goditën pozicionet e Hezbollahut në Libanin jugor, njoftoi dje në mbrëmje ushtria. Nga të dyja palët, informacionet nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Tensionet mes Hezbollahut dhe forcave izraelite janë përshkallëzuar përgjatë kufirit Izrael-Liban që nga shpërthimi i luftës në Gaza në muajin tetor, duke çuar në viktima nga të dyja palët. Po ashtu, ekziston frika se konflikti mund të përhapet pasi Izraeli kërkon që Hezbollahu të tërhiqet pas lumit Litani, 30 kilometra nga kufiri, siç dhe përcaktohet në rezolutën 1701 të OKB-së.

Milicia e mbështetur nga Irani synon të ndalojë bombardimet e saj vetëm pasi të ketë një armëpushim në Rripin e Gazës.

Sulmet ajrore izraelite vranë më shumë se 60 palestinezë në Gazën jugore dhe qendrore gjatë ditës së djeshme dhe natës së kaluar, siç raportojnë agjencitë e lajmeve në botë. Njëri prej tyre goditi një “zonë të sigurt”, e shpallur e tillë nga Izraeli dhe që ishte e mbushur me mijëra njerëz të zhvendosur.

Duke iu referuar pikërisht këtij sulmi, ushtria izraelite bëri të ditur se në shënjestër kishte një komandant në njësinë detare të grupit militant, Xhihadi Islamik, në perëndim të qytetit Khan Junis. Po ashtu, theksoi se po i analizon raportet në lidhje me vrasjen e civilëve.

Burime nga spitali “Nasser” në Khan Junisit thanë se të paktën 17 persona mbetën të vrarë vetëm në këtë sulm. Ushtria izraelite ka kryer disa goditje vdekjeprurëse në ditët e fundit në Gaza, përfshirë një më 13 korrik, në kampin e refugjatëve, Al Mavasi, ku u vranë më shumë se 90 njerëz.