Në një operacion tokësor që Izraeli e quan “të shënjestruar e preçiz” në jug të Libanit, në disa pjesë po zhvillohen “luftime intensive” kundër Hezbollahut dhe ushtria iu bëri thirrje njerëzve që të mos hyjnë në zonën në jug të lumit Litani. Aty janë me dhjetëra qyteza e fshatra në afërsi të kufirit me Izraelin. Ndërkaq, Forcat e Armatosura të Libanit njoftuan se kanë ridislokuar trupa, në disa pika vëzhguese përgjatë kufirit me Izraelin.
Ushtria libaneze nuk dha detaje se ku i ka vendosur, por vuri në dukje se po koordinohet me paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara që janë të dislokuar përgjatë zonës kufitare. Po ashtu, ushtria libaneze mohoi raportimet e sotme se trupat janë zhvendosur disa kilometra larg kufirit.
Në shënjestër të Izraelit mbetet Hezbollahu, grupi militant dhe partia politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit e që mbështetet nga Irani. Izraeli nisi operacionin tokësor pavarësisht kundërshtimit të Shteteve të Bashkuara, në mesin e frikës se një veprim i tillë do të mund të nxjerrë jashtë kontrollit ngjarjet në Lindjen e Mesme.
Pavarësisht thirrjeve nga e mbarë bota për uljen e tensioneve, Izraeli është zotuar se do të mbajë presionin ndaj Hezbollahut dhe ka shpallur një zonë ushtarake në disa pjesë të kufirit të tij verior me Libanin.
Hezbollahu është shpallur “organizatë terroriste” nga Amerika ndërsa Bashkimi Europian e ka futur në listën e zezë krahun e tij ushtarak, por jo partinë politike të Hezbollahut që aktualisht ka një vend në Parlamentin libanez.
Në përputhje me vendimin e udhëheqjes politike, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit nisën kontrolle të kufizuara, të lokalizuara e të shënjestruara tokësore, bazuar në informacionet e sakta kundër objektivave terroriste të Hezbollahut dhe infrastrukturës në jug të Libanit. Këto objektiva gjenden në fshatrat në afërsi të kufirit dhe paraqesin kërcënim për komunitetet izraelite në veri të Izraelit.
Javët e fundit, Izraeli ka kryer sulme intensive ajrore ndaj Hezbollahut, përshirë edhe goditje me raketa e që kanë vrarë drejtuesin e grupit, Hassan Nasrallah, i cili ka qëndruar në krye të grupit prej mbi 30 vitesh. Po ashtu, sulmet iu kanë marrë jetën shumë komandantëve të Hezbollahut e anëtarëve të tjerë të grupeve të sanksionuara militante.