Njësitë e Koresë së Veriut kanë filluar të luftojnë përkrah atyre ruse, konfirmoi një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit gjatë një konference për shtyp. Zëdhënësi Vedant Patel:
Mbi 10,000 ushtarë të Koresë së Veriut u dërguan në Rusinë lindore dhe shumica e tyre janë zhvendosur në rajonin e largët perëndimor të Kurskut, ku kanë filluar të angazhohen në operacione luftarake me forcat ruse.
Një ditë më parë, presidenti Volodymyr Zelenskyy tha se trupat ukrainase po përballen me 50 mijë trupa, përfshirë 11 mijë të vendit komunist, të dislokuara nga Rusia në rajonin rus të Kurskut edhe pse Moska nuk e konfirmon apo mohon përfshirjen e tyre.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin bisedoi me homologun ukrainas Rustem Umerov “për të diskutuar dinamikën e fushëbetejës e ofruar një përditësim mbi ndihmën amerikane të sigurisë sipas sekretarit të shtypit të Pentagonit, gjeneralmajor Pat Ryder.
Sekretari rikonfirmoi angazhimin e presidentit Biden për të rritur ndihmën e sigurisë për Ukrainën.
Pentagoni informoi edhe për sasinë e fondeve që mbeten në dispozicion për ndihmën ushtarake për Ukrainën. Kanë mbetur rreth 7.1 miliardë dollarë nën fondin që autorizohet nga presidenti e ku përfshihen 4.3 miliardë dollarë të miratuara nga Kongresi në prill, plus 2.8 miliardë dollarë që u bënë të disponueshme pas përllogaritjeve të reja.
Për më tepër, ka edhe rreth 2.2 miliardë dollarë në dispozicion në programin e Nismës për Asistencën e Sigurisë në Ukrainë. Gjenerali Ryder sërish theksoi se Shtetet e Bashkuara do të nxitojnë me ndihmën për Ukrainën dhe do të përdorin të gjitha fondet në dispozicion.
Gjenerali Ryder u shpreh se dy drejtuesit e mbrojtjes folën edhe për pasojat nga përfshirja e mijëra trupave të Koresë së Veriut, që tani vlerësohen të jenë kryesisht në rajonin perëndimor të Kurskut. Ndërkohë, një sulm ajror rus në qytetin e lindjes së presidentit ukrainas Zelenskyy vrau një nënë dhe tre fëmijët e saj e la 14 të tjerë të plagosur.
Ministri i Brendshëm Igor Klymenko tha se operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar pasi një godinë banimi në Kryvyi Rih u godit një ditë më parë. Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se janë vrarë një grua 32-vjeçare e fëmijë të moshave 2 muajsh, 2 e 10 vjeç