Bota

Lufta ruse në Ukrainë, Kievi po përballet me sulm “masiv” me dronë!

Sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës kanë rrëzuar dhjetëra dronë rusë që kanë sulmuar Kievin mëngjesin e ditës së sotme, në atë që administrata ushtarake e kryeqytetit ukrainas e quajti “sulmi më masiv i vitit 2024”. Po ashtu, zyrtarët lokalë thanë se forcat ruse kanë sulmuar rajonet e Harkivit, Donjeckut dhe Hersonit, duke vrarë të paktën katër persona.

Gjatë alarmit për sulme ajrore në kryeqytetin ukrainas Kiev e që zgjati për më shumë se shtatë orë, dronët rusë sulmuan zonat e tij përmes dy valëve të sulmeve nga të gjitha drejtimet, siç njoftoi kreu i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko.

Forcat ajrore ukrainase thanë se mbrojtja ajrore ka shkatërruar që të gjithë 89 dronët e lëshuar ndaj Kievit, si dhe një raketë të llojit X-59.

Ky është një prej sulmeve më masive me dronë, shkroi në Telegram, komandanti i forcave ajrore, gjenerali Mykola Oleschuk.

Sulmi ishte i shtati që është kryer ndaj Kievit gjatë këtij muaji, konfirmoi Popko, duke shtuar se “aktualisht, sipas raportit operacional, nuk ka viktima e as dëme në Kiev”.

Shërbimi i emergjencave i Ukrainës tha se një rajonin e Kievit, një shtëpi u përfshi nga zjarri nga copëzat e dronëve të shkatërruar dhe banesa pësoi dëme. Por, autoritetet nuk raportuan për viktima dhe vunë në dukje se zjarri u shua.

Ndërkaq, autoritetet në Donjeck thanë se një person u vra në qytetin Toretsk, si pasojë e granatave ruse. Po ashtu, tre civilë u vranë nga sulmet e Moskë në Harkiv. Në Herson një person mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos nga bombardimet e forcave të Moskës siç dhe referuan autoritetet ukrainase.

Që nga koha kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, forcat e Moskës në mënyrë sistematike kanë sulmuar infrastrukturën civile dhe atë të energjisë të Ukrainës, duke shkaktuar dëme të mëdha e viktima. Nga ana tjetër, Ukraina u përgjigj duke sulmuar rafineritë e naftës dhe infrastrukturën tjetër të energjisë brenda territorit të Rusisë.