Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmërojnë Turqinë kundër eksportimit të kimikateve, mikroçipëve e të tjera produkteve në Rusi, të cilat Moska mund t’i përdorë në luftën e saj në Ukrainë. Më herët këtë javë, Brian Nelson, zyrtar i Departamentit amerikan të Thesarit u takua me përfaqësues të qeverisë turke e të sektorit privat, duke bërë thirrje për më shumë përpjekje prej tyre në bllokimin e qarkullimit të mallrave të tillë. Mësohet se në takimet e zhvilluara në Ankara e në Stamboll, Nelson dhe delegacioni që kryesoi përmendën eksportet në Rusi që kanë vlerën e miliona dollarëve. Autoritetet amerikane u shprehën:
Nuk është befasi që në mënyrë të vazhdueshme, Rusia po synon të shfrytëzojë lidhjet historike me Turqinë. Por, pyetja është se si do të përgjigjet Ankaraja?
Turqia, vend anëtar i NATO-s kundërshton sanksionet ndaj Moskës e njëherazi mban raporte të mira me Kievin zyrtar. Siç dihet, Perëndimi ka vendosur sanksione dhe zhvilloi kontrolle të eksporteve drejt Rusisë, pas nisjes së luftës ruse në Ukrainë, rreth një vit më parë, më 24 shkurt 2022.
Por, zinxhirët e furnizimeve nga Hong Kongu e nga Turqia kanë mbetur të hapur. Në dhjetor të vitit të kaluar, agjencia e lajmeve Reuters raportoi se disa pajisje elektronike në vlerën e 2.6 miliardë dollarëve janë eksportuar në Rusi në një periudhë 7-mujore, përkatësisht deri në fund të muajit tetor 2022.
Produkte në vlerën e 777 milion dollarëve u prodhuan nga kompanitë perëndimore dhe çipat e tyre u gjetën në sistemet ruse të armatimit. Luftën në Ukrainë, shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftimeve intensive sidomos në lindje të Ukrainës kanë humbur jetën mijëra persona e miliona të tjerë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.