Pritja është e lartë për takimin e sotëm mes delegacioneve ruse e ukrainase, në kërkim të zgjidhjes për t’i dhënë fund luftës. Mister për vendin e përzgjedhur nga Bjellorusia sa i përket zhvillimit të këtij takimi. Flitet për një lokacion pranë lumit Pripyat apo për pikën e kontrollit Aleksandrovka-Vilcha. Skepticizmi është i madh, por delegacioni ukrainas gjendet në territorin bjellorus.
https://twitter.com/BelarusMFA/status/1498171698658648064?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1498171698658648064%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.evropaelire.org%2Fa%2Fkonflikti-rusi-ukrain
Lideri autoritar i Bjellorurisë, Lukashenko dha garanci se avionët, helikopterët e raketat do të qëndrojnë në tokë, për të mos rrezikuar palën ukrainase.
Një zyrtar i Inteligjencës amerikane nuk përjashton mundësinë që Bjellorusia të mbështesë trupat ruse në operacionin që më 24 shkurt i dha udhë pushtimit të Ukrainës.
Ndërkohë, Kievi mbahet i rrethuar nga trupat ruse e për këtë arsye, asnjë civil nuk mund të largohet nga kryeqyteti ukrainas. Autoritetet në Ukrainë përditësuan bilancin e viktimave: 352 të vrarë në radhët e civilëve, mes tyre 14 fëmijë. Por, siç thonë burime të ushtrisë ukrainase, Rusia ka ngadalësuar ritmin e ofensivës. Po ashtu, sirenat e alarmit ranë sot në qytete të ndryshme të Ukrainës. Pas orës 03:00 të mëngjesit, shpërthime të reja u dëgjuan në Kiev e Kharkiv.
Në këmbimin me dollarin, rubla ruse ra me 30% pas sanksioneve të reja të njoftuara kundër Rusisë nga vendet perëndimore, si ndëshkim për agresionin rus në Ukrainë, që ka hyrë në ditën e pestë. Disa bankave ruse iu ndalua përdorimi i sistemit të pagesave ndërkombëtare SWIFT.
Po ashtu, sanksionet e frika e një krize energjetike rëndojnë mbi çmimin e gazit dhe në Europë sot shënohet një rritje me 35%.
Përballë krizës ukrainase, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara vendosi thirrjen e një seance speciale urgjente të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Një lëvizje historike e tillë numërohet vetëm 7 herë, më e fundit në vitin 1982, 40 vite më parë. Mbledhja duhet të zhvillohet brenda 24 orëve: 11 shtete votuan pro, Rusia kundërshtoi ndërsa tre abstenuan, mes tyre Kina.