Bota

Lufta në Ukrainë, Rusia sulmon me dronë Kievin!

Forcat ruse nuk ndalen dhe kanë lëshuar 87 dronë e katër raketa ndaj Ukrainës duke shënjestruar kryeqytetin Kiev, si dhe qytete të tjera. Zyrtarisht raportohet se njësitë ukrainase të mbrojtjes ajrore rrëzuan 56 dronë e dy raketa. Kjo u bë e ditur nga Forcat Ajrore të Ukrainës përmes një postimi në Telegram. Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, shkroi:

Dronët rusë u lëshuan në Kiev përmes disa valëve dhe nga drejtime të ndryshme. Sulmet në Kiev zgjatën për më shumë se pesë orë.

Sulmet ajrore ruse po ashtu goditën portin e Odesës në Detin e Zi, duke shkaktuar disa shpërthime në Odesë, thanë autoritetet lokale. Nuk ka raportime për viktima nga sulmet e kryera gjatë natës nga Moska, e cila ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Ndërkaq, guvernatori i Hersonit, Oleksandr Prokudin, tha më herët se një civil u vra dhe 15 të tjerë u plagosën në këtë rajon jugor ukrainas gjatë sulmeve ruse të së shtunës.

Ukraina ka dokumentuar të dhëna që po lidhen me ekzekutimin e 93 të burgosurve ukrainas të luftës, sipas një zyrtari policor që ka për detyrë të hetojë krimet e luftës lidhur me pushtimin rus të Ukrainës e që vijon prej shkurtit të vitit 2022. Yuriy Belousov, i cili drejton Departamentin për Hetimin e Krimeve të Luftës, të kryera gjatë konfliktit të armatosur në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, këto të dhëna i prezantoi gjatë një paraqitjeje televizive.

Tani ne kemi një informacion për vdekjen e 93 ushtarëve tanë, të cilët ishin ekzekutuar në fushëbetejë, u shpreh Belousov për Yedyniy Novyny, një transmetues ku përfshihen disa kanale televizive ukrainase.

Më tej, Yuriy Belousov shtoi:

Rreth 80% e ekzekutimeve janë regjistruar gjatë këtij viti, por numri i tyre nisi të rritej në nëntor të vitit të kaluar kur kishte ndryshim për keq të sjelljes së ushtarëve rusë ndaj të burgosurve ukrainas të luftës.

Në fillim të muajit, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm njoftoi se kishte hapur hetim për atë që e përshkroi si “ekzekutim masiv” të të burgosurve ukrainas të luftës nga trupat ruse që nga nisja e pushtimit të Ukrainës, mbi dy vjet e gjysmë më parë.

Sipas deklaratës së publikuar nga kjo zyrë, kohët e fundit, forcat ruse kanë vrarë 16 “të burgosur ukrainas të luftës” pranë fshatrave të Mikolajivit e Suki Jarit, në qarkun e Pokrovskut të rajonit të Donjeckut. Në disa kanale në Telegram kanë qarkulluar video që dukej se shfaqnin ushtarë ukrainas, të kapur nga forcat ruse, duke dalë nga një pyll.