Bota

Lufta në Ukrainë, provokon britaniku Nigel Farage!

Politikani britanik Nigel Farage po përballet me kritika të ashpra pasi tha se Perëndimi e ka provokuar luftën e Rusisë në Ukrainë më 2022-shin. Komentet i bëri në një intervistë për BBC-në, ku nuk e mohoi as fajin e presidentit rus. Reagoi Rishi Sunak. Kryeministri britanik iu tha gazetarëve se pretendimi i Farage-it është “plotësisht gabim dhe shkon vetëm në të mirë të Putinit”.

Lideri i lëvizjes “Reform UK”, Nigel Farage është akuzuar se “i bën jehonë justifikimit të ndyrë të Putinit për pushtimin brutal të Ukrainës”. Sekretari i Brendshëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly e bëri këtë akuzë pasi Farage tërhoqi një lidhje midis zgjerimit të NATO-s dhe Bashkimit Europian në dekadat e fundit e konfliktit në Europën Lindore.

Në një intervistë në BBC One, Farage u përball me pyetje në lidhje me opinionin e tij për presidentin rus Vladimir Putin.

Unë nuk e pëlqej atë si person, por e admiroj si një operator politik, sepse ai ia doli të marrë kontrollin e drejtimit të Rusisë.

Putin ka shërbyer vazhdimisht si president ose kryeministër rus që nga viti 1999, me zgjedhje të cilat janë përshkruar si “të manipuluara”.

Farage, një ish-deputet i Parlamentit Europian, gjithashtu tha se “do t’ju them atë që ju nuk e dini, unë u ngrita në Parlamentin Europian më 2014-ën e thashë dhe citoj, do të ketë një luftë në Ukrainë”.

Pse e thashë këtë? Ishte e qartë për mua se zgjerimi gjithnjë në lindje i NATO-s dhe Bashkimit Evropian po i jepte këtij njeriu një arsye popullit të tij rus për të thënë, ata po vijnë përsëri për ne dhe për të shkuar në luftë, deklaroi Farage.

Farage vazhdoi të thoshte se ai kishte bërë komente të ngjashme “që nga vitet 1990, që nga rënia e Murit të Berlinit.

Ne provokuam këtë luftë.

Farage ka tërhequr kritika nga politikanë të lartë, duke përfshirë Cleverly i cili shkroi në X se “vetëm Farage i bën jehonë justifikimit të ndyrë të Putinit për pushtimin brutal të Ukrainës”.

Sekretari i Mbrojtjes në hije të laburistëve, John Healy shtoi se Farage “më mirë do të lëpijë çizmet e Vladimir Putinit sesa të ngrihet në mbrojtje të popullit të Ukrainës” dhe shtoi se “këto janë komente të turpshme, të cilat zbulojnë fytyrën e vërtetë të Nigel Farage, një apolog i Putinit që nuk duhet besuar kurrë”.

Deri më tani, ka pasur një front të bashkuar midis liderëve politikë të BM në mbështetjen e popullit të Ukrainës kundër sulmit të paprovokuar dhe të pajustifikueshëm që ata kanë pësuar nga duart e Vladimir Putin.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Tobias Ellwood i tha “Daily Telegraph” se “Churchill do të kthehej përmbys në varrin e tij”.

Putin, tashmë duke shijuar mënyrën se si Farage po prish politikën britanike, do të jetë i kënaqur të dëgjojë këtë bisedë për zbutjen gjatë debatit tonë zgjedhor.

Zgjedhjet e përgjithshme në Britani do të mbahen më 4 korrik.