Aktualitet Bota

Lufta në Ukrainë dhe pasojat globale, Baerbock: Bota do të mbajë përgjegjës Putinin!

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha të martën vonë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të mbahet përgjegjës për luftë në Ukrainë dhe për pasojat globale që i ka shkaktuar ajo, gjatë samitit të grupit të 20 vendeve më të industrializuara – G20, këtë javë.

“Nëse Putini mendon se pas dy vjetëve bota do të harrojë se kush është përgjegjës për luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj globale, e ka shumë gabim”, tha Baerbock të martën para se të nisej për takimin e ministrave të Jashtëm të G20-ës në Brazil.

 “Ne nuk do të heqim dorë nga parimet themelore të Kombeve të Bashkuara dhe do ta mbështesim fuqishëm Ukrainën, sa të jetë e nevojshme dhe derisa populli i saj mund të jetojë në paqe dhe në liri përsëri”, shtoi ministrja gjermane.

Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar dhe të jashtëligjshëm të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Ukraina, lufta në Rripin e Gazës dhe kërcënimi i zgjerimit të konfliktit në Lindjen e Mesme pritet të luajnë rol të rëndësishëm gjatë takimit të G20-ës.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pritet të marrë pjesë në takim në Rio de Zhaniero.

“Me humanizmin dhe përkushtimin tonë ndaj ligjit ndërkombëtar, ne i luftojmë kundër pamëshirëshmërisë së aktorëve, siç është Qeveria ruse”, theksoi Baerbock.

E tërë bota do të përfitojë “nëse të gjithë ne u përmbahemi rregullave për të cilat jemi pajtuar së bashku”, tha ajo.

G20 u themelua me besimin e “zgjidhjet e përbashkëta janë të mundura nëse ne qëndrojmë pranë njëri-tjetrit dhe i bashkojmë forcat”, nënvizoi Baerbock.