Aktualitet

Lufta në Ukrainë, Basha-qeverisë: Tregoni gjendjen e rezervave të shtetit; të merren masa!

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kërkuar transparencë nga qeveria për gjendjen e rezervave të shtetit. Në një deklaratë për shtyp nga selia blu, Basha tha se vendi ynë nuk është në rrezik të drejtpërdrejtë pasi është anëtar në NATO, por agresioni rus ndaj Ukrainës pritet të ndikojë negativisht në ekonomi.

Për këtë arsye kreu i demokratëve tha se i bën thirrje qeverisë që të bëjë transparencë mbi gjendjen e rezervave të shtetit, mbi planin e masave apo për masat që ka ndërmarrë për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.

“Ndërsa ndjekim me shqetësim sulmin brutal dhe të paprovokuar të Rusisë mbi Ukrainën dhe qëndrojmë të vendosur pranë popullit të Ukrainës në këto ditë të vështira, me shpresën që ky agresion kundër një shteti sovran, në shkelje të së drejtës ndërkombëtare do të ndalojë sa më parë.

Këtu, në vendin tonë, na lind detyra që të minimizojmë sa më parë pasojat e kësaj lufte. Sot siguria jonë nuk është në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe falë faktit se Shqipëria është anëtare e NATO-s.

Për këtë arsye sot i bëj thirrje qeverisë shqiptare të bëjë transparencë mbi gjendjen e rezervave të shtetit, mbi planin e masave apo për masat që ka ndërmarrë për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, të cilat edhe ne kushtet aktuale e kanë të vështirë të përballojnë nevojat bazë.

Gjendja ekonomike e shqiptarëve, edhe përpara zhvillimeve të fundit është e qartë për të gjithë. Sipas të dhënave, më shumë se gjysma e popullsisë ne vend sot e kanë të vështirë të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm për fëmijët e tyre”.