Irani është i gatshëm t’i përgjigjet çdo veprimi izraelit kundër territorit iranian, tha sot komandanti i Forcave Ajrore të Korpusit të Gardës Revolucionare, Amir Ali Hajizadeh, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim.
Komandanti iranian i bëri këto komente ndërsa Teherani pret hakmarrjen izraelite për sulmet me raketa iraniane të 1 tetorit ndaj Izraelit.
“Të gjithë duhet të dinë se të gjitha bazat amerikane dhe aeroplanmbajtëset e tyre janë në një distancë deri në 2,000 kilometra përreth. Irani është brenda rrezes së raketave tona. Irani ka qenë gjithmonë i gatshëm për një luftë ‘të plotë’”, shtoi Hajizadeh.
Nga ana e tij, ministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi, theksoi më herët sot se Irani nuk ka vija të kuqe kur bëhet fjalë për mbrojtjen e popullit dhe interesave të tij.
Irani nisi një sulm me raketa balistike kundër Izraelit më 1 tetor, si hakmarrje për vrasjen nga ushtria izraelite të udhëheqësve militantë të lidhur me Iranin në rajon. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant premtoi një përgjigje vdekjeprurëse, të saktë dhe veçanërisht befasuese ndaj sulmit iranian.
Diplomati i lartë i Iranit ka bërë një përpjekje të vazhdueshme për të frenuar shkallën e hakmarrjes së mundshme të Izraelit. Të dielën ai u takua me homologun e tij irakian, Fuad Hussein, i cili tha se Bagdadi ishte kundër një zgjerimi të luftës në Lindjen e Mesme në Iran.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Aragchi përsëriti se Irani do të vazhdojë konsultimet për të parandaluar përshkallëzimin e tensionit në rajon dhe për të punuar për paqen dhe një armëpushim në rajon.
Ai shtoi se Irani ishte “plotësisht i përgatitur për një situatë lufte… por ne nuk duam luftë, duam paqe”.