Bota

Lufta me ndotjen e ajrit e të ujit, Brukseli zyrtar me rregulla të reja!

Për të rritur standardet në luftën me ndotjen e ajrit e të ujit, si dhe për të arritur objektivin “zero ndotje”, Brukseli zyrtar propozon rregulla të reja. Në një deklaratë të Komisionit Europian, thuhet:

Nivelet e përqendrimit të grimcave të rrezikshme (PM2.5) do të reduktohen në nivelin e udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Vlera kufi vjetore e PM2.5 do të ulet nga 25 në 10 njësi.

Po ashtu synohet të reduktohen me rreth 75 për qind vdekjet lidhur me ndotjen e propozimet janë në përputhje me objektivin për ndotje zero që parashikon Marrëveshja e Gjelbër e Bashkimit Europian (BE) deri në vitin 2050. Më tej theksohet se revizionimi përkatës do të sigurojë që personat e dëmtuar nga ndotja e ajrit të marrin dëmshpërblim në rast të shkeljes së rregullave të BE-së për cilësinë e ajrit e do të sjellin më shumë qartësi për çështjet e informimit më të mirë publik rreth qasjes në drejtësi, ndëshkimeve efektive e cilësisë së ajrit.

Zv.presidenti i KE-së, Frans Timmermans u shpreh:

Çdo vit, qindra europianë vdesin para kohe e shumë të tjerë vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe të mushkërive ose nga kanceri lidhur me ndotjen. Sa më shumë të presim për të reduktuar këtë ndotje, aq më shumë do të ketë kosto për shoqërinë. Dëshirojmë që deri në vitin 2050 të pastrojmë mjedisin tonë nga ndotësit e dëmshëm.

Në një deklaratë ditë më parë nga KE-ja, nënvizohej:

47 për qind e qytetarëve në 27 vende anëtare mendojnë se cilësia e ajrit është përkeqësuar në 10 vitet e fundit, ndërsa 89 për qind e tyre thonë se sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes e të damarëve të zemrës janë të lidhura me kushtet e këqija të ajrit.

Ndotja e ujit

Për luftën me ndotjen e ujit, kompanitë farmaceutike e të kozmetikës do të jenë përgjegjëse për një pjesë të kostos së pastrimit të ndotjes që produktet e tyre lëshojnë në ujërat e zeza në të gjithë BE-në.

Gjithashtu për të përmirësuar cilësinë e liqeneve dhe ligatinave, do të zgjerohet lista e produkteve ndotëse në ujërat nëntokësore ose sipërfaqësore, si dhe do të punohet për të reduktuar limitet toksike ose të kimikateve të përhershme.

Propozimet e KE-së do të vlerësohen nga Parlamenti Europian dhe vendet anëtare e pasi të miratohen do të hyjnë në fuqi gradualisht për vitet 2030, 2040 e 2050.