Aktualitet

Lufta kundër emigracionit ilegal e krimit, David Cameron sot në Tiranë!

Sot Tiranën viziton sekretari i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, David Cameron. Gjatë qëndrimit në vendin tonë, zyrtari i lartë britanik do të ketë takime me homologun Igli Hasani, si dhe me kryeministrin Edi Rama e me presidentin Bajram Begaj.

Tirana është bërë gati për ta pritur Cameronin e në fasadën e Universitetit Politeknik shpaloset banderola me mbishkrimin: Mirësevini Lord Cameron!  Ndërkaq, bie në sy se bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur edhe me flamujt e Mbretërisë së Bashkuar krahas atyre të Shqipërisë.

Pak para vizitës në Tiranë, në një prononcim për mediat britanike, Lord Cameron tha se partneriteti mes dy vendeve po jep rezultat, sidomos në luftën kundër emigracionit të paligjshëm. Kryediplomati i Londrës vuri në dukje se për vitin e kaluar ka pësuar rënie me 90%, numri i anijeve me emigrantë shqiptarë e që tentojnë të kalojnë për në Britaninë e Madhe.

Referuar axhendës zyrtare, fillimisht Cameron do të pritet nga homologu, ministri për Evropën dhe Punët e  Jashtme, Igli Hasani. Rreth orës 12:00 është parashikuar një takim kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama e që do të pasohet nga një konferencë për mediat.

Në orën 14:30, Sekretari i Jashtëm britanik do të takojë Presidentin e Republikës, Bajram Begaj në Presidencë. Po ashtu, Cameron pritet të ndalet në një stacion policor, si dhe do të njoftojë hapjen e një qendre kulturore.

Mediat britanike bëjnë të ditur se në fokus të diskutimeve do të jetë lufta kundër emigracionit të paligjshëm, ndërsa David Cameron pritet të shpallë një plan mes dy qeverive. Ky plan parashikon një program të përbashkët për të trajnuar gjyqtarët shqiptarë, me qëllimin për luftuar pastrimin e parave, korrupsionin e po ashtu, krimin e organizuar.

Ndër të tjera, sekretari i Jashtëm britanik vjen në Tiranë që të nënvizojë “rolin kyç” të partneritetit mes Mbretërisë së Bashkuar e vendit tonë në trajtimin e emigracionit të paligjshëm. Gjithashtu, të njëjtat burime mediatike shprehen se shefi i diplomacisë, Cameron do të njoftojë nisma për të ndihmuar Shqipërinë që të godasë bandat të cilat kontrabandojnë njerëz në kanalin e La Manshit e gjithashtu nxisin aktivitetin kriminal, në mënyrë të veçantë, trafikun e drogës në Britaninë e Madhe.