Bota

Lufta izraelite, intensifikohen betejat në Rafah!

Banorët në Rafah, në jug të Gazës raportuan për intensifikim të sulmeve me artileri e të shtëna armësh ditën e sotme pasi Izraeli tha se ka marrë nën kontroll një korridor strategjik në kufirin e territorit palestinez me Egjiptin.

Ushtria izraelite po vijon inkursionin e saj në Rafah e që nisi në fillim të majit, pavarësisht kundërshtimeve ndërkombëtare për shkak të shqetësimeve lidhur me fatin e palestinezëve që strehohen në këtë pjesë të Gazës.

Një sulm gjatë fundjavës shkaktoi një zjarr që vrau dhjetëra persona në një kamp të zhvendosurve, duke nxitur një dënim të fuqishëm ndërkombëtar. Izraeli që vazhdimisht është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin, grupin palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian pasi ky grup sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, një ditë më parë, u shpreh se mori nën kontroll një korridor strategjik në kufirin Gazë-Egjipt. Po ashtu, theksoi se dyshon se në atë zonë ka tunele që janë përdorur për kontrabandimin e armëve.

Në Rripin e Gazës, dëshmitarët raportuan për luftime në pjesën qendrore e atë perëndimore të Rafahut. Dëshmitarët treguan edhe se forcat izraelite kanë shkatërruar disa ndërtesa në pjesën lindore të Rafahut. Kur Izraeli nisi inkursionin në këtë qytet më 7 maj, fillimisht u fokusua në pikëkalimin me Egjiptin, që është pikë kyçe për hyrjen e ndihmës humanitare.

Luftime dhe sulme me artileri po ashtu janë raportuar në Qytetin e Gazës, në veri të enklavës, teksa banorët kanë thënë se panë tym që po dilte nga kampet e refugjatëve, Xhabalia e Beit Lahia.

Para se Izraeli të niste ofensivën në Rafah, Kombet e Bashkuara vlerësuan se 1.4 milion banorë ishin strehuar atje. Që prej atëherë, më shumë se 1 milion banorë janë larguar nga zona.

Lufta që nisi më 7 tetor të vitit të kaluar pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit ka vrarë mijëra persona. Hamasi vrau 1.200 vetë e rrëmbeu 250 të tjerë, gjatë sulmit të paprecedentë në tokën izraelite. Si pasojë e ofensivës ajrore, tokësore dhe detare të Izraelit, në Gazë janë vrarë më shumë se 36 mijë palestinezë deri tani. Kjo sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Ndërkaq, Izraeli pretendon se ka vrarë 15 mijë militantë.