Fitues ndër vite të Nobelit kërkuan siguri për të gjithë fëmijët viktima të luftës më të fundit, të Izraelit e të Gazës. Në një letër të hapur të nënshkruar nga 29 emra, të gjithëve atyre që janë “për një paqe të qëndrueshme për të gjithë fëmijët që jetojnë në Izrael, Palestinë e gjetkë”, iu bë thirrje që të ndiznin qirinj. Në mesazhin e nobelistëve theksohej:
Në kulmin e errësirës, ne ndezim tre qirinj: një për të gjithë fëmijët e vrarë e të rrëmbyer në Izrael, një tjetër për të gjithë fëmijët e vrarë e të gjymtuar në bombardimet dhe luftimet në Gaza, si dhe një për njerëzimin e për shpresën.
Nga 29 nënshkruesit e letrës, 11 ishin fitues të çmimit Nobel për Paqe, si aktivistja ukrainase, Oleksandra Matviichuk e cila e fitoi vitin e kaluar apo Rigoberta Menchù Tum nga Guatemala, si dhe shumë fitues të çmimit Nobel për Fizikën, Mjekësinë e Kiminë.
Ne jemi thellësisht të tronditur nga fëmijët e vrarë gjatë masakrës së kryer nga Hamasi dhe nga fëmijët e vrarë deri më tani në bombardimet e përhapura, që pasuan në Gaza nga Izraeli. Ekziston një rrezik serioz që në javët e ardhshme mund të ketë një humbje edhe më të madhe të jetëve e që edhe më shumë fëmijë të vdesin në vende të tjera. Fëmijët palestinezë janë fëmijët tanë! Fëmijët izraelitë janë fëmijët tanë!
Ne iu bëjmë thirrje që të gjithëve, të kujtojnë se fëmijët nuk kanë shkaktuar asnjë luftë dhe nuk janë përgjegjës për situatën e krijuar në Lindjen e Mesme. Të gjithë fëmijët e rrëmbyer duhet të lirohen urgjentisht dhe të gjithë fëmijëve duhet t’u ofrohet një kalim i sigurt për t’i ikur konfliktit. Fëmijët nuk mund të detyrohen të vuajnë mungesën e ujit, ushqimit, kujdesit e të strehimit. Fëmijët dhe njerëzit në nevojë duhet të marrin ndihma humanitare menjëherë!