Aktualitet

Lufta “godet” ekonominë shqiptare/ FMN: Rritja e çmimeve për ushqimet dhe naftën do rrisin perspektivat për trazira sociale në vendet në zhvillim

Fondi Monetar Ndërkombëtar në projeksionet e prillit për rritjen ekonomike shprehet se vendi ynë do të marrë goditjen më të fortë nga lufta në krahasim me vendet e rajonit.

Nga 4.5% që ishte parashikimi fillestar në tetor, FMN e ka rishikuar në 2%, me përgjysmim rritjen ekonomike. Ritmet e rritjes pritet të jenë të ulëta edhe në vitin 2023, me 2.8% dhe do të përshpejtohen lehtë në 3.4% deri në vitin 2027.

Ndërkohë për vendet e rajonit, FMN parashikon se Serbia është ajo që do të ndjejë më pak goditjen nga lufta, ndjekur nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.  Serbia ka një avantazh pasi duke mos vendosur sanksione ndaj Rusisë vazhdon të furnizohet rregullisht me gazin rus dhe të ketë më të stabilizuar situatën energjetike.

Nga të gjitha parashikimet e institucioneve ndërkombëtare ajo e Fondit Monetar është më pesimistja. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim më herët e ka parashikuar me 3.3% zgjerimin e ekonomisë për këtë vit.

Në raportin e saj për krizën FMN shkruan edhe se rritja e çmimeve për ushqimet dhe naftën do rrisin perspektivat për trazira sociale në vendet në zhvillim.

Ajo shprehet se qeveritë do të duhet të rregullojnë balancat fiskale dhe të sigurojnë mbështetje për shtresat në nevojë, pa rrezikuar borxhin publik.

Bankat Qendrore nga krahu tjetër duhet të mbajnë inflacionin nën kontroll.  Edhe pse disa Banka i kanë rritur normat e interesit shkruan raporti, ato duhet të vazhdojnë t’i rrisin edhe më tej, në mënyrë që të rrisin besueshmërinë ndaj luftës së inflacionit dhe të parandalojnë një rritje të mëtejshme të tij.