Donald Trump fajëson Volodymyr Zelensky-n, se ndihmoi në nisjen e luftës së Ukrainës kundër Rusisë. Kjo deklaratë e kandidatit republikan është sugjerim shtesë se ka gjasa të mëdha që ai do të ndryshojë rrënjësisht politikën amerikane kundrejt Rusisë, nëse fiton presidencialet e 5 nëntorit. Në fushatën zgjedhore, ish-presidenti e ka kritikuar shpesh Zelensky-n, duke iu referuar si “shitësi më i zoti në Tokë”. Kjo pasi presidenti ukrainas ka kërkuar dhe ndihmë ushtarake nga Amerika në vlerë miliarda dollarë për të përballuar pushtimin rus që vijon prej shkurtit të vitit 2022.
Po ashtu, ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë e ka kritikuar liderin ukrainas se sipas tij “ka dështuar të kërkojë paqe me Moskën” duke lënë të kuptohet se Ukrainës mund t’i duhet të pranojë t’i falë tokë Rusisë për të bërë marrëveshje paqeje, gjë që Kievi e vlerëson si “të papranueshme”.
Deklaratat e Trump-it në PBD Podcast me Patrick Bet-David janë më të ashprat e bëra prej tij deri tani ndaj liderit ukrainas.
Zelensky nuk ka faj vetëm për dështimin për t’i dhënë fund luftës, por edhe sepse ndihmoi në nisjen e saj, pavarësisht se lufta shpërtheu kur Rusia filloi pushtimin e territorit sovran të Ukrainës. Kjo nuk nënkupton se unë nuk dua ta ndihmoj. Unë ndihem keq për ata njerëz. Por, ai kurrë nuk duhej të lejonte që të niste ajo luftë.
Zelensky i paraqiti Trump-it “Planin e fitores” për t’i dhënë fund luftës dhe këtë e bëri gjatë një takimi që patën në Nju Jork, muajin e kaluar. Të dy liderët e cilësuan “takim të ngrohtë”. Por, deklaratat publike të Trump-it lënë të kuptohet se ai mund ta kufizojë mbështetjen për Ukrainën, nëse mposht kandidaten demokrate Kamala Harris në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Vazhdimisht ka thënë se mund t’i japë fund luftës në Ukrainë, por nuk ka treguar si do ta bënte një gjë të tillë. Në dallim nga Trump-i, Harris është zotuar se do ta vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, nëse zgjidhet presidente. Ajo ka theksuar se fitorja e Ukrainës do të ishte jetike për interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-ve.
Harris e ka qortuar shpesh Trump-it se nuk ngre zërin kundër presidentit rus, Vladimir Putin.