Kosova vijon të shkruajë historinë me filma mjaft të suksesshëm që përfaqësojnë vendin në festivale të rëndësishme, më i fundit “Luaneshat e Kodrës” nga regjisorja Luana Bajrami. Ky do të jetë filmi i parë kosovar i metrazhit të gjatë që do ta shfaqë premierën në një ndër festivalet më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës.
‘Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.
Diku në një fshat të vogël në Kosovë, tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë: ka ardhur koha për luaneshat të ulërojnë – ky është rrugëtimi që na e sjellë Luàna Bajrami përmes filmit të parë të saj.
Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora dhe Luana Bajrami. Premiera do të shfaqet në kuadër të programit “Director’s Fortnight” të Festivalit të Kanës. Për të folur më shumë rreth këtij projekti, regjisorja dhe aktorja Luana Bajrami ishte në një lidhje telefonike nga Kosova në “At The Movies”.
Regjisorja 20-vjeçare tha se nuk ka bërë ndonjë shkollë të mirëfilltë aktrimi, por pasionin dhe profesionalizmin e ka marrë duke ndjekur nga afër punën e regjisorëve të huaj, kryesisht francezë, ku edhe ajo jeton momentalisht. Luana e ka nisur karrierën që në moshën 8-vjeçare duke u bërë pjesë e disa filmave të huaj si, “Portrait of A Lady on Fire” dhe “School’s Out” .
Ajo është nominuar edhe si “Aktorja më premtuese” në ‘Cesar Awards 2020’. Për “Luaneshat e Kodrës” ajo tha se është frymëzuar nga historia e vajzave kosovare, dhe e problematikave sociale e psikologjike me të cilat ato përballen çdo ditë! Kjo edhe për vetë faktin se Bajrami është rritur në Kosovë.
E pyetur ku e shesh më shumë veten si aktore apo regjisore Luana përgjigjet:
Ende nuk kam bërë një zgjedhje pasi unë i dua shumë të dyja. Kam qenë pjesë e sheshxhirimeve që në moshën 8 vjeçare dhe e bëj me shumë pasion si aktrimin ashtu edhe regjisoren, jap shpirtin në punë.
“Luaneshat e Kodrës” pritet të vijojë rrugëtimin edhe në festivale të tjera në botë, ku shpresojmë te ketë sa më shumë sukses.