Gena Rowlands, aktorja në filmin “The Notebook”, ku ka luajtur rolin e personazhit me Alzheimer, është diagnostikuar në moshën 94-vjeçare me po të njëjtën sëmundje. Sëmundja e Alzheimerit karakterizohet nga humbja progresive e neuroneve të trurit. Këtë lajm e ka bërë publik djali i saj, Nick Cassavetes. Sipas tij aktorja ka “demencë të plotë”.
Cassavetes tha se në xhirime të dy folën shumë për këtë sëmundje, në mënyrë që të ishin sa më autentikë me të dhe tani, për pesë vitet e fundit.
Ajo është diagnostikuar me Alzheimer. Ajo ka demencë të plotë. Është çmenduri! Ne e përjetuam, ajo luajti rolin dhe tani e ka edhe vetë.
Gena ka një karrierë 70-vjeçare, është nominuar dy herë për çmimin “Oscar” dhe ka fituar një çmim të tillë. Në filmin “The Notebook” ajo luan protagonisten Allie, por në versionin më të vjetër të personazhit që luhet nga Rachel McAdams.
Në vitin 2004, Rowlands-i tregoi që e ka pasur të vështirë ta luante atë rol, sepse edhe e ëma i vuante nga po e njëjta sëmundje. Ajo tha se:
Unë e kalova këtë me nënën time. Nëse Nicholas Sparks nuk do ta kishte bërë filmin, nuk mendoj se do t’ia kisha dalë. Është shumë e vështirë. Ishte një film i vështirë, por i mrekullueshëm.
Ndërkaq, teknologjia e realitetit virtual është përdorur për të zbuluar shenjat që paralajmërojnë Alzheimerin. Një kërkim në Universitetin e Kembrixhit vëzhgoi nëse personat e rrezikuar nga sëmundja kishin një sens të dobët orientimi ose probleme në lundrimin hapësinor. Pjesëmarrësve iu kërkua të lundronin në një mjedis virtual ndërsa mbanin pajisjen VR. Rezultatet treguan probleme në lundrimin hapësinor, të cilat mund të zhvillohen vite ose dekada përpara çdo simptome tjetër.
Rreth 100 të rritur asimptomatikë, të moshës 43 deri në 66 vjeç, përdorën VR për të përcaktuar dhe ndjekur një rrugë nga një vend në tjetrin. Studiuesit vunë re dëmtime tek meshkujt, por jo tek femrat. Mendohet se rezultatet do të ndihmojnë në zhvillimin e një mjeti mbështetës për diagnostikimin nga strukturat shëndetësore. Autorja Coco Newton shpreson se studimi do të sjellë diagnozë më të shpejtë dhe më të saktë për njerëzit. Ajo thekson nevojën për studim të mëtejshëm të prekjes së burrave dhe grave nga Alzheimeri.