Si çdo të premte, programi dedikuar 360 gradë kinematografisë sjell të rejat më të fundit dhe sugjerimet më ‘IN’ të momentit për filmat. “At the Movies” sugjeroi këtë javë filmin shqiptar “Love”, jo pa arsye. I nominuar për plot 14 kategori çmimesh, “Love” listohet kështu ndër kandidatët në ‘Northern Virginia International Film Festival’, SHBA. Genti Kame është nominuar si ‘Aktori më i Mirë’, e ndërsa të tjera nominime i janë dhënë “Love” si; ‘Filmi më i Mirë’, ‘Regjisori më i Mirë’, etj. Filmi është një komedi – romancë, prodhim i vitit 2019, që vjen nën interpretimin e aktorëve Genti Kame, Olta Gixhari, Gentjan Zenelaj, Gent Hazizi, Rozi Kostani, Herjon Mustafaraj, Luli Bitri dhe nën regjinë e Dionis Papadhimitrit.
I ftuar virtualisht në studio, aktori Genti Kame na zbuloi më tepër detaje dhe emocione rreth këtyre nominimeve, edhe pse pjesëmarrja fizike në eventin e ndarjes së çmimeve në datë 17 prill duket e pamundur për shkak të masave anti-COVID, si dhe angazhimeve aktuale të aktorit. Aktori u shpreh mirënjohës ndaj kolegëve dhe ndaj gjithë stafit që punoi për realizimin e filmit, pasi sipas tij nuk ka çmime pa një punë të mirë në ekip. Ashtu sikurse në futboll, edhe në film, skuadra duhet të bashkëunojë dhe funksionojë si një e vetme.
Duke folur nga Roma, Kame na zbuloi projektin e tij më të fundit për të cilin po punon, “Il Re”, një serial me 8 seri, ku interpreton dhe aktori i mirënjohur italian Luca Zingaretti. Seriali i zhvillon ngjarjet në ambientet e një burgu dhe duket se kështu e ndien veten edhe aktori Kame në Romë, nën situatën dhe masat e ashpra të pandemisë.
I pyetur për personazhin kryesor të filmit “Love”, Gerin, i cili kthehet në Tiranë pas një kohe shumë të gjatë i lodhur nga bashkëjetesa dhe kërkon të takojë miqtë e mbase dhe dashurinë, Genti u shpreh se jo vetëm ai, por të gjithë mund ta gjejmë veten në vend të këtij personazhi. Filmi sjell me nota komike dhe jo rëndë, realitetin shqiptar të viteve të fundit. Edhe pse ka bërë një karrierë mes Romës, Parisit dhe Tiranës, aktori u shpreh se të ardhmen e tij e shikon;
“Aty ku balta është më e ëmbël se mjalta”.
Duket se Kame tashmë e gjen veten shumë mirë në seriale, duke rikujtuar këtu edhe suksesin që pati Albert Kuqezi në serialin komedi “Familja Kuqezi”, apo edhe të fundit, pjesëmarrjen e tij në “Il Re”. “At the Movies” i uron aktorit dhe gjithë ekipit realizues të “Love” suksese në Northern Virginia International Film Festival.