Më në fund “Big Brother Albania VIP” do të nisë transmetimin në 5 Tetor në Top Channel pas kaq kohësh pritjeje. Ditën e sotme u transmetua në Top Albania Radio intervista eksluzive e producentes së këtij spektakli madhështor, Lori Hoxha. Në një bisedë me Jonida Aliçkollin, Lori zbuloi çdo detaj që shumë prej jush mund të kenë pyetur veten gjatë gjithë kësaj periudhe. Zbuloni më shumë nga intervista e saj.
Edhe pa nisur ky edicion kaq i përfolur, ka një interes shumë të madh nga të gjithë njerëzit. Por po Lori dhe stafi i punës si e kanë ndjerë këtë gjë?
Në fakt, duke qenë se kam qenë e përfshirë me punën prapaskenave të “Big Brother”, nuk e kam ndjerë shumë këtë interesin e madh, derisa erdha këtu dhe pashë dhe interesin tënd personal. Realisht unë e di që kërkohet të dihet për “Big Brother” që para 4 vitesh. Që kur ne nxorëm një promo të vogël që do të fillonte “Big Brother VIP”. E kam ndjerë që atëherë që njerëzit duan të dinë dhe janë të interesuar dhe i pëlqen si produksion. Sigurisht dhe ne prandaj e risollëm sepse e dimë sa shumë e do publiku dhe më vjen mirë që ka interes. Stafi është shumë i emocionuar. Unë jam shumë e emocionuar. Jemi shumë të lumtur që erdhi dita të flasim për këtë dhe të dalim në transmetim sepse aty realisht duket puna që po bëhet. Mezi po pres.
Cila ishte shkëndija që ndezi dëshirën për të rikthyer Lorin në produksion të mirëfilltë si producente, por edhe që të ishte pikërisht në “Big Brother VIP”? Kujtojmë që pjesëmarrja jote si producente në një spektakël gjigant, ka qenë 5 vite më parë në “Top Awards”.
Në fakt ai ka qenë produksioni im i fundit që unë kam pasur emrin në titra, por realisht unë kam qenë e përfshirë në një pjesë të madhe të emisioneve që janë prodhuar në “Top Channel” 5 vitet e fundit. Nuk jam përfshirë kaq intensivisht sa jam përfshirë në “Big Brother VIP”, por kjo erdhi organikisht. Unë shkova për të mbaruar studimet e mia në Angli, pastaj ndodhi pandemia dhe “Big Brother VIP” erdhi si rrjedhojë e kohës. Mund të kshte qenë një produksion tjetër, por shyqyr që ishte kjo sepse unë e dua shumë “Big Brother” dhe më pëlqejnë produksionet e mëdha. Jam mësuar që të punoj me staf të madh, ku kreativiteti është fjala e parë dhe pastaj profesionalizmi dhe gjithçka tjetër. Kështu që më vjen mirë që është “Big Brother”, jam shumë e lumtur që po e marr përsipër.
Dhe meqë ra fjala tek “Top Awards”, a do të rikthehet sërish ky produksion?
Unë shpresoj shumë. 2 vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta, sidomos për tregun muzikor shqiptar, por dhe për televizionin. Kështu që shpresoj shumë që të krijohet mundësia që ne të organizojmë një koncert të tillë të përmasave të tilla. Kërkon shumë buxhet dhe kjo është e vështirë.
Por sa është ‘stresuar’ stafi me personazhet që janë përzgjedhur për të qenë pjesë e “Big Brother VIP”?
Në fakt nuk jemi stresuar shumë. Realisht unë prisja që të stresoheshim akoma më shumë, sepse duke qenë se po flisnim për VIP-a, mendoja se do të kishin kërkesa nga më të çuditshmet, pork jo do të ndodhte dhe me njerëz jo të profilit publik. Kështu që do të thoja që kanë qenë goxha të akomodueshëm për kërkesat që ne kishim.
A ka patur ndonjë nga ata që kanë thënë ‘po’ dhe më pas kanë ndërruar mendje gjatë rrugës?
Po, ka patur, por shumë pak. Është një periudhë shumë e gjatë nga momenti që kontaktohen deri në momentin që fillon produksioni. Dhe të gjitha etapat kalonin shumë avash. Flitet njëherë dhe pastaj pasi firmoset kontrata jemi më të qetë. Po, kanë rënë disa rrugës. Por për arsye personale, aspak çështje a donin apo nuk donin.
Ka patur ndonjë personazh që e donit patjetër dhe keni menduar që duhet të jetë patjetër në “Big Brother VIP”?
Ne në fakt kemi qenë shumë të hapur për të kontaktuar shumë personazhe VIP. Nuk kishim asnjë specifik në kokë që ky ose kjo duhet të jetë, por kemi disa tipologji personash që donim të kishim brenda për të përçuar mesazhet e duhura dhe për të pasur një spektakël, të them të drejtën. Por për këtë pjesë është kujdesur shumë dhe stafi i kontentit dhe stafi i patentës së “Big Brother”. Ata kishin disa indikacione se çfarë realisht duhet të kishte “Big Brother” ose personazhet që futen brenda. Kështu që ka patur nga ata që kanë thënë ‘po’ dhe kemi disa personazhe aty brenda që realisht jam e lumtur që i kemi.
Cila ka qenë dilema jote më e madhe në fillim të “Big Brother VIP” që në momentin që mendove që do vije në Shqipëri dhe mendove se do merreshe seriozisht me këtë produksion?
Dilema më e madhe ishte nëse do ishte mirë që ta kishim 2 herë në javë spektaklin live. Sigurisht që ne e vendosëm për ‘po’ në fund të ditës dhe nuk jam më në dilemë për këtë sepse mendoj që bëmë shumë mirë. Mendoj që ka shumë kontent si program dhe për t’ja sjellë publikut më afër, më shpesh. Menduam që ishte më e udhës që të jetë dy herë në javë. Tani shpresoj që publiku ta përqafojë këtë, por unë mendoj që po.
Në Itali ka patur shumë sukses “Grande Fratello VIP”, duke qenë dhe nga pandemia. Mendon që do ketë të njëjtin sukses edhe në Shqipëri?
Mendoj që do ketë akoma më shumë sukses, sepse ne kemi patur një pauzë shumë të gjatë nga “Big Brother” dhe shpresoj shumë që të ketë të njëjtin impakt. Mbaj mend kur kam qenë akoma më e vogël kur filloi “Big Brother”, ka qenë një nga këto evenimentet që i mblidhnin njerëzit në shtëpi ose lokale për ta parë. Dhe mua më mungon kjo situatë, dua ta shoh përsëri.
Por a do ketë personazhe si ato që janë aluduar në media në “Big Brother”?
Sigurisht personazhet e “Big Brother”-it të mëparshëm janë personazhe publikë sot. Një nga ata e kam përpara (qesh). Sigurisht që dhe ti mund të ishe një nga personazhet e këtij viti.
A do të ekzistojë mundësia që të zgjatet “Big Brother”, si në rastin e “Grande Fratellos”-s?
Ata e shtynë për shkak të pandemisë atëhere dhe sigurisht ngaqë panë suksesin edhe e zgjatën shumë. Nuk e di a do të donim t’ja bënim këtë banorëve tanë, sepse është sfidë goxha e vështirë. Por duke parë, duke bërë.
Cilat janë episodet e tua më të dashura nga “Big Brother” në Shqipëri?
Siç e thashë unë kam qenë shumë e vogël kur filloi “Big Brother”. Ka disa gjëra që më kanë ngelur në memorie edhe pse në atë kohë unë nuk e shihja shumë sepse kisha një moshë më të vogël dhe nuk më lejohej shumë. Unë mbaj mend më shumë se çdo gjë, marrëdhënien e Bjordit me Adelën. Ka qenë një histori e dhimbshme po aq sa e bukur dhe e vërtetë. Dhe kjo është ajo që më ka ngelur më shumë në memorie. Po ashtu vlerësoj shumë personazhet femra që ka pasur “Big Brother” ndër vite. Atë kohë mendoj se është dashur shumë guxim që ta marrësh si iniciativë. Dhe më vjen shumë mirë që është marrë përsipër nga vajzat që kanë qenë në “Big Brother” ndër vite. Kanë treguar shumë avancim.
“Big Brother” ka qenë gjithashtu dhe një shtysë shumë e mirë për ata që kanë pasur dëshirë të punojnë në media dhe televizion. Dhe për këtë Lori mendon se në qasjen e produksionit ndaj “Big Brother VIP”, kjo ka qenë një nga shtysat që të bënin pjesë të produksionit këta personazhe.
Ne nuk duam t’i përdornim vetëm për kontent. Kjo është një lojë e dyfishtë për të dyja palët. Ata luftojnë për çmimin final në fund të ditës. Por duke marrë parasysh televizionin sot, kur del nga aty merr një impakt shumë të madh. Merr shumë më shumë popullaritet. Në atë kohë nuk ka patur media sociale, ti nuk e shihje dot realisht çfarë impakti kishe në publik. Vetëm nëse e shihje në gazeta, kurse sot e ke.
Cilat kanë qenë kriteret e përzgjedhjes së “Big Brother VIP”? A ka pasur ndonjë kriter bazë ku produksioni është fokusuar, që ata duhet të përshtateshin patjetër?
Kriteri i parë ishte që ata të kishin një lloj njohje në publik. Ky është kriteri bazë i patntës së “Big Brother VIP”. Sigurisht që kemi pasur indikacione shumë të saktësuara nga grupi i “Big Brother” në Hollandë. Ne kemi kontaktuar shumë. Nuk donim të bënim selektime personale. Në fakt unë vetë kam qenë shumë e distancuar nga përzgjedhja e personazheve. Sepse duke qenë dhe personazh publik vetë, nuk doja të influencoja me pëlqimet e mia. Dhe stafi ka kontaktuar një grup të madh personazhesh. Sigurisht që ne duam të ketë karaktere të forta, njerëz që i qendrojnë një mendimi të caktuar, që janë një model i mirë për shoqërinë. Që kanë diçka për të ofruar, kanë një lloj talenti dhe i përkasin një lloj industrie të caktuar në Shqipëri. Jemi munduar të mbajmë sa më shumë grupe të ndryshme njërëzish, sepse ky është thelbi i “Big Brother” në fund të ditës. Se si funksionojnë disa njerëz të kritereve të ndryshme në një ambient të përbashkët. Të gjithë njërzit që ti nuk ke nevojë t’i pyesësh për emrin, kanë një lloj imapkti në publik. Ne jemi munduar të ftojmë brenda shtëpisë së “Big Brother” persona që kanë një lloj influence.
Dhe duke qenë tek influenca, e pyetur nëse do ketë ndonjë ‘blogger’ brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, Lori Hoxha nuk e përjashtoi këtë mundësi. Po cila mendon Lori se do të jetë sfida më e madhe e një “Big Brother”-i me personazhe publikë? A mund ta ndjejnë ata trysninë e rrjeteve sociale?
Mendoj se mund ta ndjejnë. Mendoj dhe që e kanë ndjerë. Mendoj dhe se kjo mund të ketë qenë një nga arsyet primare që mund të mos kenë pranuar. Sepse kjo trysnia e rrjeteve sociale është goxha e fortë. Por është edhe shumë e mirë, sepse ti nëse pëlqehesh realisht në publik, kjo është në benefitin tënd. Ka shumë personazhe VIP që unë i njoh personalisht që në syrin publik nuk kanë një imazh shumë të fortë pozitiv, por ndërkohë në jetën reale mund të jenë karaktere të forta. Por këtë gjë nuk e transmetojnë në rrjete publike sepse kanë zgjedhur të kenë atë imazhin e tyre. Unë do të preferoja që të nxirrnin dhe pjesët e tyre që pëlqehen nga publiku. Dhe “Big Brother” ta jep këtë mundësi. Që nëse ti ke mbajtur një profil shumë të ulët në publik për shkak të dëshirave të tua, por ndërkohë që je personazh publik për punën që bën. Aty brenda ke hapësirën për të treguar realisht se kush je dhe se si e jeton jetën tënde.
Cila ka qenë për ty si producente një nga momentet më të vështira gjatë përgatitjeve të “Big Brother VIP”?
Të them të drejtën nuk është se kemi patur ndonjë moment shumë të vështirë. Por nga eksperienca e di se momentet e vështira bëhen në momentin që del live. Kështu që shpresoj të mos kemi momente të vështira më vonë. Por deri tani ka qenë punë shumë e mirë, e lodhshme, por e mirë. Pozitive. Asgjë e vështirë. Kemi një staf shumë të madh dhe shumë profesionist dhe besojmë shumë tek njëri-tjetri. Kështu që dhe vështirësive i bëjmë ballë së bashku shumë mirë. Shpresoj të mos kemi, por edhe nëse do të kemi do të jetë pjesë e sfidës.
E pyetur nëse ekziston mundësia e rikthimit të “Big Brother”-it të thjeshtë, pa personazhe publike, sepse edhe ky format i ka munguar publikut, Lori përgjigjet pozitivisht. Ajo pranon se ekziston sepse në momentin që publiku e dëshiron, patjetër që do rikthehet. Po a do të ishte futur vetë Lori në “Big Brother”?
Mua më pëlqejnë shumë sfidat dhe të rikujtoj se kam qenë dhe në një sfidë vetë, para shumë vitesh. Kështu që do të futesha me shumë qejf po të mos isha Lori dhe të isha pjesë e televizionit. Me siguri do të isha futur, por nuk e di sa do të rezistoja pa telefon (qesh). Kjo është e vetmja vështirësi e imja për momentin.
Po Sara?
Jo, nuk e besoj. Sara ka më shumë impenjime se sa unë nga ana personale. Por që besoj se do të kishte qenë personazh më i mirë sesa unë.
A e kanë menduar ndonjëherë motrat që të bëjnë një reality së bashku?
Kemi shumë dinamika të lezetshme në familje. Jemi shumë më ndryshe nga çfarë transmetojmë në rrjete sociale. Kështu që do të ishte interesante, por nuk e di.
E ngacmuar nga një pyetje e Jonidës se nëse Sara dhe Ledioni do të hyjnë së bashku në “Big Brother VIP”, cili mendon ajo se do të dalë më parë, Lori përgjigjet:
Ledioni. Do të kishte dalë vetë. Ai do të jetë gjithmonë në kontroll dhe në një situatë që ai nuk është në kontroll, ai del nga shtëpia (qesh).
Cili është kushti më i çuditshëm që mund të kenë venë personazhet për të qenë pjesë e këtij programacioni?
Ky është një nga ato kushte që nuk kemi pranuar: të marrin fëmijën me vete. Ne e menduam dhe thamë që nuk është shumë etike. Dhe është jashtë rregullave.
Jonida rikujtoi një episode nga emisioni i saj në Top Albania Radio, “Pardon My French”, ku ajo ftoi disa nga konkurrentët pjesëmarrës të “Big Brother 1” në Shqipëri. Në atë kohë, duke mos ditur se do të zhvillohej një format “Big Brother VIP”, ajo i pyeti nëse do të merrnin pjesë në të. Shumica u përgjigjën se po, pavarësisht eksperiencave të tyre të kaluara. Lidhur me këtë Lori u shpreh:
Kjo do të thotë se kanë kaluar një eksperiencë të mirë. I ka lënë një shije të mirë. Kjo në fund të ditës është dhe qëllimi jonë. Të bëjmë një program të mirë, por duam dhe që njerëzit që vijnë aty të kënaqen. Më vjen shumë mirë që kanë thënë po. Dhe mundësia do të ekzistojë gjithmonë për këdo që njohet në publik. Sigurisht që për këta do të ishte pak më e thjeshtë sepse njohin Lorin, kështu që do të ishte pak ‘unfair’. Por nuk e përjashtoj si mundësi. Do ja lë publikut në dorë këtë.
Që në momentin që u lajmërua fillimi i “Big Brother VIP”, janë aluduar disa emra personazhesh që thuhej se do të ishin brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri. Lori më fund i jep fund supozimeve.
Unë di të them se asnjë nga banorët tanë nuk ka dalë deri në njëfarë pike. Ne kemi disa muaj që merremi me këtë program dhe kemi disa muaj që kemi kontaktuar disa njerëz. Kështu që nuk doli asnjë personazh i joni, për ne ishte shumë e çuditshme. Menduam se njerëzit do të flisnin, sepse është njerëzore.
Lori u vu përballë një liste personazhesh VIP, nëse do të jenë pjesë e “Big Brother”, apo nëse janë kontaktuar nga produksioni. Duke filluar nga Rudina Dembacaj, Robert Aliaj, Arjola Demiri, Romeo dhe Donald Veshaj, Semi Jaupaj, Rozana Radi, Beatrix Ramosaj, Ema Andrea e shumë e shumë të tjerë, producentja është përgjigjur nëse janë kontaktuar apo jo. Por, jo vetëm kaq. Lori madje nga emrat e përmendur ka arritur të thotë eksluzivisht që një pjesë e tyre do të jenë brenda shtëpisë. Për sa i përket opinionistëve, Lori konfirmon se do të ketë dy në “Big Brother VIP” dhe madje që nuk i kemi parë më parë në këtë profil.
Opinonistët janë dy. Është një grua dhe një burrë. Donim dy që të balanconim njëri-tjetrin dhe të kishim sa më shumë opinione të mira. Po ashtu janë shumë karaktere të ndryshme dhe janë në profile të ndryshme. Kështu që shpresoj të gjenden mirë dhe nuk janë afër mendjes. Nuk janë këto opinonistët që priten gjithmonë të jenë. Nuk është Arian Konomi (qesh).
Për këtë e më shumë detaje të tjera më të thella do na duhet të presim datën e fillimit të këtij reality-show spektakolar në datën 5 Tetor, ditën e martë, sigurisht vetëm në Top Channel. Intervistën e plotë të Lori Hoxhës mund ta ndiqni në videon më poshtë në YouTube.