Loreen, përfaqësuesja e Suedisë këtë vit ka fituar Eurovision Song Contest në Liverpool. Këngëtarja, e cila triumfoi më parë në vitin 2012, hyri në histori si gruaja e parë dhe personi i dytë, që fitoi dy herë konkursin.
Ajo mblodhi gjithsej plot 583 pikë pasi u bashkuan votat e publikut dhe jurisë, duke mposhtur me një rezultat të ngushtë Finlandën, e cila mblodhi 526. Fitorja lidh gjithashtu Suedinë me Irlandën si kombi me më shumë fitore, me shtatë secila.
Pasi u shpall fituese në ‘M&S Bank Arena’, Loreen u rikthye në skenë dhe iu dorëzua trofeu nga fituesit e vitit të kaluar, grupi Kalush Orchestra nga Ukraina. Në fjalën e saj falenderuese pas fitores, këngëtarja u shpreh:
Jam shumë e lumtur dhe ju jam mirënjohëse. Faleminderit për këtë, kjo është për ju.
Fitorja e saj do të thotë se barazohet me rekordin e mbajtur nga këngëtari irlandez, Johnny Logan, i cili triumfoi në konkurs fillimisht në vitin 1980 dhe më pas në vitin 1987.