Bota

Londra zyrtare bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza!

Sekretari i ri i Jashtëm i Britanisë, David Lammy, bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Lammy vizitoi Izraelin, si dhe territoret palestineze, një ditë më parë. Ai tha se lufta e vazhdueshme në Gaza nuk është “e tolerueshme” dhe në takimet me lidershipin izraelit e atë palestinez, vuri në dukje se Britania dëshiron t’i ndihmojë përpjekjet diplomatike “për të siguruar një marrëveshje armëpushimi”.

Lammy u takua në Jerusalem me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor me presidentin palestinez, Mahmud Abbas. Lufta në Gaza shpërtheu tetorin e kaluar kur Hamasi, grup i shpallur “terrorist” nga Amerika dhe fuqi të tjera, sulmoi Izraelin duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe marrë peng qindra të tjerë.

Në përgjigje, Izraeli është duke kryer një fushatë masive sulmesh për të shkatërruar, Hamasin, i cili kontrollon Gazën. Sipas autoriteteve atje, mbi 38 mijë njerëz janë vrarë që nga koha kur nisi lufta.

Shpresat e banorëve të Gazës për armëpushim janë ringjallur pasi Hamasi, në fillim të këtij muaji, ka pranuar një pjesë kyçe të një propozimi të SHBA-ve për ndalimin e luftimeve. Ndërmjetësuesit e Katarit dhe të Egjiptit, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, thonë se janë të angazhuar vazhdimisht në bisedime.

Një sulm izraelit në jug të Gazës ka vrarë 71 persona të shtunën, siç njoftoi Ministria e Shëndetësisë në Gaza teksa shtoi se dhjetëra të tjerë janë plagosur. Ndërkaq, një zyrtar izraelit deklaroi se ushtria ka shënjestruar kreun e krahut ushtarak të Hamasit.

Shënjestër e sulmit në Han Junis ishte Mohammed Deif, për të cilin shumë besojnë se është arkitekti i sulmit që Hamasi kreu më 7 tetor në Izrael. Për vite të tëra, Deif ka qenë në krye të listës së personave më të kërkuar nga Izraeli dhe besohet se u ka shpëtuar disa tentativave vrasjesh në të kaluarën.

Zyrtari që foli në kushte anonimiteti, tha edhe se Rafa Salama, një tjetër zyrtar i lartë i Hamasit është shënjestruar në sulm. Por, nuk dha detaje nëse këta dy zyrtarë të lartë të Hamasit janë vrarë. Ndërkaq, në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza u tha se të paktën 289 persona u plagosën dhe shumica e 71 të vrarëve e të lënduarve u dërguan në spitalen Nasser.