Aktualitet Bota

Lloyd Austin: Koreja e Veriut ka dislokuar trupa në Rusi!

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin konfirmon se Koreja e Veriut ka dislokuar trupa në Rusi.

Kjo vjen pasi Koreja e Veriut dhe Rusia kanë krijuar lidhje gjithnjë e më miqësore që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska.

“Ne po shohim prova se ka trupa të Koresë së Veriut që kanë shkuar në Rusi. Çfarë saktësisht po bëjnë ata? Kjo mbetet për t’u parë”, tha Austin.

Ukraina dhe Koreja e Jugut kanë pretenduar se Koreja e Veriut ka dislokuar mijëra trupa në Rusi për të ndihmuar Rusinë të luftojë ukrainasit. CNN shkruan se “mijëra” trupa të Koresë së Veriut janë tashmë në Rusi.

Më tej Austin tha se SHBA-të ende po përpiqen të përcaktojnë se çfarë roli do të luajnë koreano-veriorët në konflikt dhe nëse ata synojnë të udhëtojnë në Ukrainë. I pyetur se çfarë do të marrë Koreja e Veriut në këmbim të ndihmës së Rusisë me fuqi punëtore, Austin tha se SHBA po përpiqet të përcaktojë gjithashtu këtë.

Në muajt e fundit, Moska dhe Peniani kanë thelluar partneritetin e tyre ushtarak kundër Shteteve të Bashkuara   dhe aleanca në rritje ka shqetësuar zyrtarët në Kiev dhe Uashington. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar vazhdimisht se trupat e Koresë së Veriut po i bashkohen luftës në emër të Rusisë, duke thënë në një samit të NATO-s javën e kaluar se “10,000” ushtarë dhe personel teknik po përgatiteshin.

Një burim në inteligjencën ukrainase  thotë  se një numër i vogël koreano-veriorësh kanë punuar me ushtrinë ruse, kryesisht për të ndihmuar në inxhinieri dhe për të shkëmbyer informacione mbi përdorimin e municioneve të Koresë së Veriut.

Ndërkohë, agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut, Shërbimi Informativ Kombëtar,  tha të premten  se Koreja e Veriut ka dërguar 1500 ushtarë, përfshirë luftëtarë të forcave speciale, në Rusi për stërvitje.