Sport

Llogaritë/ Sa pikë i duhen Shqipërisë për kualifikimin në Europianin “Gjermani 2024”

Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi dje 3-0 kundër Çekisë në “Air Albania”, për grupin E të Euro 2024. Në stadiumin e tejmbushur të Tiranës vendosi goli i Jasir Asanit në minutën e 10-të dhe dopieta e Taulant Seferit në minutat 51 dhe 73. Me këtë sukses djemtë e Sylvinhos ngjiten me 13 pikë në krye të grupit dhe janë me një këmbë në fazën finale të “Gjermani 2024”.

“Shqiponjat” tona kanë edhe dy takime, ndërsa në 17 nëntor udhëtojnë për në Moldavi dhe në 20 nëntor presin Ishujt Faroe në Shqipëri. Me të gjitha kombinimet, një pikë do na dërgonte edhe matematikisht në fazën finale Euro 2024. Me Poloninë dhe Çekinë që kanë ndeshje direkt, skuadra jonë do kalonte më tej edhe nëse do kishte pikë të barabarta me dy skuadrat e sipërpërmendura, kjo për shkak të ndeshjeve direkte që i kemi në favor.

Skenari më i keq është që mos marrim asnjë pikë, megjithëse edhe kështu kemi shanse të kalojmë, kjo në varësi të rezultateve të kundërshtarëve. Për shkak të formës së mirë të kuqezinjve, një gjë e tillë duket e pamundur. Në Moldavi në datën 17 nëntor, tanët mund të kualifikohen edhe matematikisht për në Gjermani.

Rasti më i mirë do ishte që ekipi i Sylvinhos të merrte katër pikë në dy ndeshjet e radhës, për vendin e parë në grup. Gjithsesi, me një këmbë e gjysmë në Europian, ka mbetur vetëm që gjithçka të formalizohet.