Ylli i muzikës pop, Lizzo është paditur nga tre ish-balerinat e saj për ngacmim seksual dhe krijimin e një mjedisi pune armiqësor. Padia përfshin akuza për ngacmim seksual, fetar dhe racor, diskriminim, sulm. Arianna Davis, Crystal Williams dhe Noelle Rodriguez janë ish-balerinat që kanë ngritur padinë. Padia, e ngritur në Los Angeles, përfshin pretendimet se balerinat ishin të detyruara të duronin sjellje denigruese seksuale dhe u vunë nën presion për të marrë pjesë në shfaqje seksi midis 2021 dhe 2023.
Ndërkaq, të tjerë persona që kanë punuar me Lizzo-n i kanë dalë kundër këngëtares. Ish-drejtoresha e saj krijuese, Quinn Whitney Wilson dhe balerina Courtney Hollinquest pohuan se ato kishin përjetuar gjëra të ngjashëm. “Për sqarim, nuk jam pjesë e padisë por kam kaluar të njëjtën gjë në kohën time atje”,-shkroi Hollinquest në InstaStory.
“Bravo për balerinat që patën guximin ta nxjerrin këtë në dritë.” Menjëherë pas kësaj, Wilson ndau një pamje të deklaratës së Hollinquest në faqen e saj të mediave sociale, duke thënë se ajo po “i bënte jehonë” gjithçkaje që ishte thënë tashmë. “Unë e duartrokas shumë guximin e balerinave për ta nxjerrë në dritë këtë.”-përfundoi ajo.