Rajoni

Lista Serbe: Institucionet paralele nuk e kanë shkelur ligjin në Kosovë!

Përfaqësues të Listës Serbe mbajtën një konferencë të jashtëzakonshme për media, lidhur me ftesën që morën nga autoritetet e Kosovës. Nga kjo parti, thanë se do t’i përgjigjen pozitivisht kësaj ftese. Autoritetet konfirmuan se do të intervistohen pesë persona nga pesë institucionet paralele serbe, që u mbyllën në fund të gushtit. Ata janë zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit. Në konferencën për media, Igor Simiç, foli për “përndjekje politike” e “persekutim të popullit serb”.

Nuk është çështja si do të veprojë nesër Igor Simiç, Ivan Zaporozhiani, por si do t’ia bëjnë njerëzit të cilëve iu shërbyem sa ishim në krye [të institucioneve paralele]. Sa i përket këtyre institucioneve, autoritetet e Kosovës gjithmonë e kanë ditur ekzistencën e tyre. Nuk është gjë e re që këto institucione kanë ekzistuar në veri e për to është diskutuar në nivel ndërkombëtar dhe u negociua në Bruksel mbi mënyrën si do të funksionojnë në të ardhmen.

Më 30 gusht, autoritetet e Kosovës mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës e që kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë. Prishtina i akuzon se kanë shkelur kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviçit.

Simiç tha se këto institucione kanë ofruar shërbime juridike për të gjithë qytetarët dhe “nuk kanë shkelur asnjë ligj”. Gjatë konferencës, Simiç, i cili më herët kishte qenë deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, foli edhe për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve.

Qeveria e Kosovës ka shprehur synimin që kjo urë të hapet, por ka hasur në kundërshtimin e ndërkombëtarëve të cilët kanë argumentuar se për shkaqe sigurie, ura nuk duhet të hapet tani. Simiç tha ky është momenti kur “bashkësia ndërkombëtare duhet që të tregojë fytyrën e saj”.

Do të shohim nëse do të bëjnë ndonjë gjë.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë kritikuar aksionin e Policisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve serbe.