Këngëtarja nga Kosova, Fjolla Morina lirohet nga paraburgimi. Sipas avokatit mbrojtës, Fanol Krasniqi, gjykata refuzoi kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e saj në Shqipëri dhe iu ndërpre masa e paraburgimit.
Vepra penale e arratisjes nga arresti shtëpiak nuk sanksionohet me burg në Kosovë. Për këtë, Fjolla Morina është liruar nga qelia dhe gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e saj drejt Shqipërisë.
E dënuar në mungesë në vendin tonë për trafik armësh, Morina u arrestua në Prishtinë në korrik, pas 10 muajsh arrati për shkak se u largua nga shtëpia në Kukës ku qëndroi 4 muaj, drejt Kosovës. Ajo tha se ditën kur policia i shkoi në shtëpi për të kontrolluar nëse gjendej aty, ndodhej në spital pasi vuante nga depresioni. Më pas, kur mësoi se uniformat blu i kishin shkuar në banesë, u frikësua dhe u largua për në Kosovë.
Për ekstradimin e Fjolla Morinës në Shqipëri, avokati Fanol Krasniqi paralajmëroi se nuk është i ekzekutueshëm, pasi nuk ka qenë e dënuar me vendim të formës së prerë.
35-vjeçarja ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi vitin e kaluar në pikëkalimin e Morinës në kufirin mes Kosovës e Shqipërisë u kap me dy pistoleta pa leje, në makinën ku udhëtonte e shoqëruar nga dy persona, njëri prej të cilëve biznesmeni Fisnik Syla, bashkëshorti i saj i ardhshëm. Syla u arrestua dhe u la i lirë pas dy javësh teksa Morina u la në “Arrest shtëpie” nga Gjykata e Kukësit.
Fjolla Morina u arrestua më 19 shtator 2020 kur në çantën e dorës iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me 23 fishekë, ndërsa në bagazhin e makinës, një tjetër pistoletë e llojit çakmak. Këngëtarja që është nënë e dy vajzave, po udhëtonte me një automjet “Audi Q7” e tha se arma ishte aksidentalisht në çantën e saj e bëri të ditur se do të apelonte dënimin.