Aktualitet

Lirohet me kusht Fredi Beleri/Vendimi i Gjykatës Fier!

Gjykata e Fierit liron me kusht Fredi Belerin kur i mbeteshin edhe rreth një muaj e gjysmë burgim. Vendimi i sotëm u përshëndet nga avokati i tij, Geni Gjyzari, i cili foli për mediat pas seancës:

Urdhëroi lirimin para kohe. I kishin mbetur 6 javë për të bërë. Respekte për gjykatën! U tregua e pavarur.

Fredi Beleri, kërkoi lirinë e parakohshme në Gjykatën e Fierit ku u zhvillua seanca e tretë radhazi. Dy të parat dështuan për arsye të ndryshme. Gjykata dëgjoi argumentet e provat e mbrojtjes, si dhe relacionin e Prokurorisë. Fredi Beleri u arrestua më 12 maj të vitit të kaluar dhe u dënua me 2 vjet burg për korrupsion në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023 në Himarë. Ai fitoi, por e humbi mandatin e kryebashkiakut.

Rreth dy muaj më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ i hoqi mandatin Fredi Belerit. Pas arrestimit më 12 maj 2023 dhe dënimit me dy vite burg për shitblerje votash, Beleri nuk mundi të bënte betimin si kryetar i bashkisë Himarë dhe për asnjë ditë nuk e drejtoi këtë institucion ndonëse fitoi vendoret e 14 majit 2023, si kandidat i koalicionit Meta-Berisha.

Beleri i cili u soll në mbledhjen e 5 korrikut i shoqëruar me policë, u shpreh se ishte vullneti politik që e lejoi të paraqitjej në KQZ, por se sipas tij, po ky vullnet, i ndaloi betimin.  I vetëdijshëm se mandati i tij si kryetar i Bashkisë së Himarës ka mbaruar, Beleri propozoi që çështjen ta zgjidhë Gjykata Kushtetuese.

Ata që vendosën rrëmbimin e Bashkisë së Himarës e nuk duan që himariotët të shprehen, duhet t’i lini të pijnë gotën e helmit deri në fund. Jam i qartë që mandati im si kryetar bashkie ka mbaruar, por duket qartë arroganca e tyre që t’i bëjnë votimet në gusht. Pse KQZ-ja t’i bashkohet kësaj kërkese? Kam frikë se gjysma e bashkisë do të shkojë në burg. Drejtojuni Kushtetueses ta zgjidhë një herë e mirë këtë!

Më pas, Himara shkoi në zgjedhje të parakohshme që u fituan nga kandidati socialist, Vangjel Tavo.