Bota

Lirohet Julian Assange/Kthehet në Australi si njeri i lirë!

Themeluesi i WikiLeaks-it, Julian Assange u lirua nga një gjykatë sot në ishullin amerikan të Paqësorit, Saipan, pasi u deklarua fajtor për shkeljen e ligjit për spiunazhin në Shtetet e Bashkuara. Kjo në një marrëveshje që i mundësoi të kthehet si njeri i lirë në vendlindjen, Australi.

Lirimi i Assange-it i jep fund një sage ligjore 14-vjeçare, gjatë të cilës kaloi më shumë se pesë vjet në një burg të sigurisë së lartë në Britaninë e Madhe dhe shtatë të tjera në Ambasadën e Ekuadorit në Londër. Assange e luftoi ekstradimin në Shtetet e Bashkuara, pasi përballej me 18 akuza penale.

Gjatë një seance që zgjati tri orë, Assange u deklarua fajtor për një akuzë penale e që ka të bëjë me konspiracion për të siguruar dhe publikuar dokumente të klasifikuara të mbrojtjes kombëtare amerikane.

Por, tha se kishte besuar se veprimtaria e tij po mbrohej nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA-ve, që mbron lirinë e shprehjes.

Duke punuar si gazetar, unë e nxita burimin tim të më jepte informata për të cilat thuhej se ishin të klasifikuara, në mënyrë që t’i publikoja. Besoja se Amendamenti i Parë e mbronte këtë veprimtari, por e pranoj se ishte… shkelje e statutit të spiunazhit.

Gjykatësja Ramona V. Manglona e liroi Assange-in pasi ai pranoi fajësinë, në bazë të marrëveshjes me prokurorët amerikanë dhe pasi ka kryer pesë vjet burg në Londër.

Ne besojmë fuqishëm se Assange nuk duhej të akuzohej kurrë në bazë të Aktit të Spiunazhit, u shpreh avokati i tij amerikan, Barry Pollack, pas seancës.

Po ashtu, theksoi se puna e WikiLeaks-it do të vazhdojë. Avokatja britanike, Jennifer Robinson,  falënderoi qeverinë e Australisë për veprimet diplomatike shumëvjeçare në sigurimin e lirimit të Julian Assange-it.

52-vjeçari doli nga gjykata, pa iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të mbledhur atje. Nga ishulli Saipan, u largua me një avion privat duke iu drejtuar kryeqytetit australian Kanberra.

Assange kaloi më shumë se pesë vjet në atë që gjykatësja Mangola e cilësoi si njërin prej burgjeve më të ashpër britanikë, si dhe shtatë vjet i fshehur në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku luftoi kundër akuzave për abuzime seksuale në Suedi e kundër ekstradimit në SHBA.

Gjatë qëndrimit në burgun Belmarsh, Assange u martua me partneren e tij Stella, me të cilën ka dy fëmijë. Mbështetësit e shohin si viktimë, sepse zbuloi probleme dhe krime të mundshme amerikane, përfshirë ato gjatë konflikteve në Afganistan e Irak.

Uashingtoni tha se publikimi i dokumenteve të fshehta prej tij vuri në rrezik jetë njerëzish.