Tech

Linja ajrore që po planifikon t’i pajisë pasagjerët me kufjet Apple Vision Pro!

Një linjë ajrore po planifikon të ofrojë kufjet Apple Vision Pro për disa pasagjerë si pjesë e ofertave të saj argëtuese gjatë fluturimit. Linja ajrore maldiviane Beond, e cila përfshin sedilje të palosshme që i lejojnë pasagjerët të flenë rehat gjatë udhëtimit, së shpejti do t’i pajisë pasagjerët edhe me pajisjet Apple, Vision Pro.

“Apple Vision Pro do të transformojë përvojën e argëtimit gjatë fluturimit dhe ne do të jemi të parët që do t’ua ofrojmë atë pasagjerëve të përzgjedhur”,-tha CEO i Beond, Tero Taskila. “Ofrimi i Apple Vision Pro është një hap tjetër në vizionin tonë për t’u ofruar klientëve tanë një përvojë udhëtimi premium, nga fillimi deri në fund të udhëtimit të tyre. Ne jemi krenarë që jemi linja ajrore e parë që përdor teknologjinë”,-shtoi Taskila.

Njoftimi nga kompania nuk përmendi se sa kufje do të jenë në bordin e çdo fluturimi dhe nuk shpjegoi se si linja ajrore do të përcaktojë se cilët pasagjerë do të kenë mundësi të vendosin kufjet. Apple deri më tani ka pranuar porosi për 200 mijë njësi të kufjeve Vision Pro në SHBA, përgjatë një periudhe 10-ditore.

Kufjet e avancuara me teknologji VR, kanë qenë të disponueshme për t’u porositur online. Lançimi i këtyre kufjeve vjen tetë muaj pasi u prezantuan nga gjiganti teknologjik në konferencën WWDC 2023. Këto kufje, do të sjellin revolucion teknologjik pasi për shumicën mund të jenë teknologji e paeksploruar. Vision Pro ka të integruar teknologjinë e realitetit virtual dhe realitetit të përzier. Ndërkaq, disa përdorues të Apple Vision Pro kanë një ankesë për këtë pajisje.