Në lumin e programeve televizive dhe ‘qyfyreve’ të tyre frymëzuar nga cikli ‘Mai Dire’ i Mediaset – tre emra të njohur të radios & TV në Shqipëri vijnë me një program ku komentohen perlat nga programet që njihni dhe nuk i njihni, që i keni parë ose me shumë gjasa jo, xhanëm me kaq sa janë kjo është e pamundur…
E ftuar në pjesën e dytë të emisionit “S’e Kam me Ty” ka qenë Lindjana Laçi, Drejtoresha e Burgut të Grave, e cila ka diskutuar në studio më shumë rreth profesionit të saj dhe revolucionit të ri që është futur në sistemin e burgjeve, ku përfshijmë këtu “Terapia Lego”. Si nisi ky rrugëtim dhe si është drejtimi i këtij institucioni për të?
Unë pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve jam bërë prej më shumë se dy vitesh. Kam mbaruar për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe këto dy vitet e fundit jam bërë pjesë e sistemit penitenciar ose sistemit të burgjeve. 8 muaj më është besuar drejtimi i një institucioni shumë të bukur, shumë të vështirë, me shumë përgjegjësi që ka shumë emocione. Kam 8 muaj që jam në drejtim të IEVP “Ali Demi” ose Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Ali Demi” – burgu i grave siç është njohur dhe i vetmi në Shqipëri. Në IEVP sot që flasim, thjesht sa për të bërë një përshkrim të vogë të institucionit, janë 76 gra të dënuara dhe të paraburgosura. Të paraburgosura i quajmë, sepse akoma nuk kanë marrë një vendim të formës së prerë. Ndërsa 33 janë të dënuara, të cilat gjykatat kanë vendosur që ato të akomodohen në IEVP tonë.
Më tej, ajo shtoi:
Unë preferoj t’i quaj gratë e vajzat e akomoduara në IEVP “Ali Demi”, nuk më pëlqen shumë burgu i grave, pasi ato janë aty jo vetëm si një institucion sigurie, por në një institucion rehabilitimi dhe integrimi. Kjo është puna ime, puna e stafit tim, puna e të gjithëve ne që mundohemi fort që këto vajza e gra t’ja kthejmë shoqërisë të rehabilituara dhe të intigruara.
Si e priti në fillim emërimin, a ishte një sfidë e vështirë për të?
Të them të drejtën kam pasur frikë. Me të vërtetë isha pjesë e sistemit të burgjeve, por isha në Drejtorinë e Qendrës së Trajnimit, aty ku e kisha ndërtuar, punuar fort bashkë me një super ekip që më duhet t’i falenderoj për të gjithë besimin që mu dha që të isha në drejtimin e Qendrës së Trajnimeve. Kur më është ofruar si detyrë me thënë të drejtën kam qenë me frikë dhe skeptike, duke qenë për faktin se nuk e dija nëse do ta bëja dot atë që ato duan dhe atë që duhet bërë, sepse është një përgjegjësi shumë e madhe.