I ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë një artist i veçantë dhe i talentuar, Kejdi Dërvishi, apo siç njihet me emrin e tij të artit si Vserlo. Ai ka publikuar këngën e tij më të re që mban titullin “3 vite pa ty”, për të cilën na ka folur më shumë vetë.
Fillimisht, pse ky emër arti, Vserlo?
Doja një emër që t’i prezantohesha publikut, sepse Kejdi nuk më thërret njeri. Është një anagramë, që do të thotë “Lover/Loser”. Me këtë emër e nisa, e vazhdova dhe shpresoj ta përfundoj kështu. (qesh)
Si lindi kënga “3 vite pa ty” dhe a është një dedikim?
Ka lindur në banjon e shtëpisë sime. (qesh) Mua më lind ideja për të ktrijuar 30 minuta para dushit. Kisha pirë disa gota verë të bardhë dhe isha pak melankolik. Është pjesërsiht një dedikim, është thelbi apo tematika. Pastaj janë shtuar disa gjëra për të qenë më korrekt. Konsumimi i verës së bardhë më ndihmon të jem më krijues, ndikon të fokusohem.
A po punon me një projekt të ri momentalisht?
Këngën “3 vite pa ty” unë vendosa ta krijoj pa zërin tim. Projekti nuk mban zërin tim, është i modifikuar me Inteligjencë Artificiale, sepse doja që projekti im i radhës për të cilin kam tre muaj që po punoj fort, të kishte një impakt ndryshe nga herët e tjera. Të kishte zërin tim dhe do jetë në shqip, ndryshe nga anglishtja që këndoj zakonisht sepse tregun tonë e kam ‘halë në sy’. Shpresoj që kjo kohë t’ia vlejë dhe të dalë mirë. Prandaj “3 vite pa ty” ishte pa zërin tim sepse doja që fokusin ta merrte projekti i radhës.
A do të doje të vije me një bashkëpunim me një artist tjetër?
Unë jam i hapur për bashkëpunime për sa kohë që kënga është shkruar nga unë. Kemi parë raste që artistët kanë vjedhur këngë, kështu që më mirë ta bëj unë që kam shumë për të dhënë. Një artiste që do të doja të bëja një bashkëpunim, mund të përmend Besa Kokëdhimën, e njoh personalisht dhe kemi ndarë shumë komente për këngët bashkë.
Nëse edhe juve ju pëlqen kënga “3 vite pa ty”, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e “The Top List”, Top Awards.