Një lajm i trishtë erdhi gjatë ditës së djeshme nga bota e artit, ku vallëtarja Liljana Cingu, u nda nga jeta në moshën 74-vjeçare. ‘Mjeshtrja e madhe’, ‘Nderi i Kombit’, solistja “mbretëreshë” e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore arriti që gjatë karrierës së saj shumë vjeçare të bëhej ylli kryesor i valleve shqiptare. Mbi 200 valle të kërcyera prej saj, për Liljana Cingun u pikas që në adoleshencë, si një talent i rrallë dhe vazhdoi të mbetet e tillë deri në momentet e fundit të jetës.
Edhe pse në momentet e fundit, shëndeti i saj u përkeqësua dhe fatkeqësisht kaloi në gjendje kome, derisa zemra e saj pushoi së rrahuri, emri i Lilit do të mbetet i skalitur në historinë e valles shqipe. Por përveç kontributit maksimal në botën e aritit, ‘shtojzovalleja e valleve’ ishte gjithashtu një zë kritik, për investimin e nevojshëm tek artistët e Ansamblit, me shqetësimin që të përçohej tradita e vendit tonë dhe angazhimin për t’u trashëguar brezave vallen e bukur shqipe.
Liljana Cingu u angazhua që në moshën 12-vjeçare në Pallatin e Pionerëve, ndërsa në moshën 16-vjeçare ajo u rendit mes profesionistëve në Ansambël. Besim Zekthi e Zoica Haxho, ishin ndër të parët që e inspiruan, e më pas ndanë skenën me të. Ndër daljet e fundit në skenë, veçonte recitalin e fundit me të madhin, Rexhep Çelikun dhe artistët e tjerë 13 vjet më parë. Liljana Cingu përshkroi të gjithë shqiptarinë në valle nga ”,“Festë të madhe ka sot Shqipëria”, “Komitët e Lirisë”, “Oshëtima e maleve”, “Dasma e Rugovës”, ndër kërcimet e saj më të adhuruara ishte “Luftëtarët e lirisë” me heronjtë Azem Galica dhe Shote Galica.
Ndër të tjera, e bukura Lili krijoi një shkollë ku përgatiti brezin e ri të kërcimit të valles popullore shqiptare. Me duart e saj, si të ishte një stiliste, u qepte valltarëve kostumet e trevave të ndryshme, sidomos në festën e flamurit. Kurse vetë Lili si soliste, ka interpretuar disa herë në koncerte në Kanada, ku të pranishmit janë shprehur:
Me lëvizjet dhe kërcimin e saj, vendi i vogël shqiptar na duket i madh.
Lili Cingu është shquar për një interpretim dinjitoz, elegancë e finesë, si dhe një kulturë të lartë muzikore, si njohese e folklorit të të gjitha trevave. Këto cilësi i dhanë asaj mundësinë që të shpreh më mirë aftësinë në interpretimin e valleve lirike, por edhe atyre epike. Dhe falë këtyre cilësive hyjnore që e karakterizonin, ajo u quajt edhe “Perëndesha e valleve”. E tashmë, lart në qiell si një perëndeshë e vërtetë, ajo po i mëson edhe yjeve traditën e bukur shqiptare, kulturën mijëra vjeçare të kombit tonë dhe artin e bukur të kërcimit. Kushedi sa e artë është aureola rreth saj dhe me sa finesë është duke kërcyer krah engjëjve. Vazhdo të shndërrisësh edhe atje lart, Liljana Cingu.
Photo Credits to: Gerhard Pregapuca