Bota Health & Beauty

Lija e majmunit, shkencëtarët të alarmuar: “Po ndryshon më shpejt seç pritej…”!

Shkencëtarët që studiojnë llojin e ri të lisë së majmunëve, i cili është përhapur përtej Republikës Demokratike të Kongos, thonë se virusi po ndryshon më shpejt se sa pritej dhe shpesh në zona ku ekspertët nuk kanë fonde ose pajisje për ta gjurmuar atë në mënyrë efektive. Kjo do të thotë se ka shumë të panjohura për vetë virusin, ashpërsinë e sëmundjes që shkakton dhe mënyrën se si transmetohet, duke e komplikuar përgjigjen, thanë për Reuters gjashtë shkencëtarë në Afrikë, Europë dhe Shtetet e Bashkuara.

Mpox, i njohur më parë si lija e majmunëve, ka qenë një problem i shëndetit publik në pjesë të Afrikës që nga vitet 1970, por nuk kishte marrë vëmendjen ndërkombëtare derisa u shfaq globalisht në 2022, duke bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë ta shpallte një emergjencë të shëndetit publik. Një lloj i ri i virusit, i njohur si clade 1b po tërheq sërish vëmendjen globale pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli një emergjencë të re shëndetësore.

Ky lloj është një version i mutuar, një formë mpox që transmetohet përmes kontaktit me kafshët e infektuara dhe ishte endemike në Kongo për dekada të tëra. Mpox shkakton simptoma të ngjashme me gripin dhe skuqje të lëkurës, dhe mund të jetë fatale. Sipas OBSH-së, Kongo ka pasur më shumë se 18,000 raste të dyshuara mpox clade 1 dhe clade 1b dhe 615 viktima këtë vit. Pati gjithashtu 222 raste të konfirmuara të llojit clade 1b muajin e kaluar në katër vende afrikane, plus një në Suedi dhe Tajlandë, te njerëzit që kishin udhëtuar në Afrikë.

Një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha së fundmi se lija e majmunit, pavarësisht nëse është lloji i ri apo i vjetër, nuk është COVID-i i ri, pasi autoritetet dinë të kontrollojnë përhapjen e tij. “Ne mund dhe duhet ta trajtojmë këtë sëmundje së bashku”-tha Hans Kluge, drejtor i OBSH-së për Evropën, në një konferencë për shtyp.

“Pra, a do të vendosim të ngremë sisteme për të kontrolluar dhe eliminuar linë e majmunit globalisht, apo do të përballemi me një cikël tjetër paniku dhe neglizhence? Mënyra se si do të përgjigjemi tani dhe në vitet në vijim, do të jetë një provë kritike për Evropën dhe botën”-shtoi ai.