Bota

Ligji për “Agjentët e huaj” u tërhoq, por në Gjeorgji vijojnë protestat!

Deputetët gjeorgjianë votuan për të anuluar projektligjin për “agjentët e huaj”, draft që do të kishte kufizuar aktivitetin e grupeve të shoqërisë civile dhe mediave. Anulimi vjen pas tre ditësh protestash të dhunshme, mes akuzave se ligji pasqyron legjislacionin rus dhe mund ta shtyjë vendin drejt autoritarizmit. Ligjvënësit e opozitës pro-europiane shpalosën flamujt e Bashkimit Europian dhe Gjeorgjisë gjatë votimit.

Protestat në vend shpërthyen më 7 mars, kur në Parlamentin gjeorgjian po merrej parasysh ky ligj. Sërish mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit Tbilisi, edhe pse partia qeverisëse, “Endrra Gjeorgjiane” u zotua për ta tërhequr.

Një ditë më parë, protestuesit u mblodhën jashtë Parlamentit, ku valëvitën flamuj të Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Bashkimit Europian e hodhën thirrje kundër qeverisë. Po ashtu kërkuan zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ligji i propozuar, i cili u mbështet nga partia qeverisëse “Endrra Gjeorgjiane”, kërkonte që organizatat e shoqërisë civile që marrin mbi 20% të financimit të tyre nga burime të huaja, të etiketohen si “agjentë të huaj”.

Kritikët thanë se ky ligj pasqyronte legjislacionin rus që ka kufizuar punën e gazetarëve të pavarur dhe institucioneve demokratike, sidomos mediat e huaja ose të financuara nga jashtë.

Ngjashmëria e projektligjit gjeorgjian me atë rus provokoi zemërim të gjerë në mesin e gjeorgjianëve, të cilët protestuan dhe u përballën me gaz lotsjellës e topa uji nga forcat e sigurisë dhe policia.

Mbrëmjen e djeshme, presidentja Salome Zurabishvili, u dërgoi një mesazh mbështetjeje protestuesve:

Dua t’ju uroj të gjithëve për këtë fitore të parë të këtij lloji. Mirëpres përmirësimin e hapave të ndërmarra nga qeveria për faktin se ata u tërhoqën nga ky draft.

Zurabishvili kërcënoi me veto ndaj projektligjit. Delegacioni i BE-së në Gjeorgji përshëndeti njoftimin për tërheqjen.

Ne inkurajojmë të gjithë liderët politikë në Gjeorgji që të rifillojnë reformat pro-BE, në një mënyrë gjithëpërfshirëse e konstruktive dhe në përputhje me 12 prioritetet që vendi të arrijë statusin e kandidatit.