Sot në Kuvend, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, shpjegoi se pse duhet bërë një deklaratë për heqjen e ligjit të Luftës që Greqia mban me Shqipërinë që nga viti 1940.
Me Italinë, çështja u zgjidh në vitin 1947 me Traktatin e Paqes në Paris, ndërsa me Gjermaninë u hoq gjendja e luftës në mënyrë të njëanshme. Po me Shqipërinë? Eshtë i njëjti ligj ku përcaktohen si shtete armike Italia, kolonitë e saj, tokat perandorake dhe Shqipëria. Vetëm pjesa e Shqipërisë ka mbetur pezull. Ligji në fjalë padyshim që është absurd.
Ligji i luftës dhe sekuestro mbi pronat e shqiptarëve vazhdojnë të mbeten në fuqi që nga viti 1940. Kufizimet e të drejtave themelore të individëve janë të qarta. Jemi të vonuar me këtë deklaratë parlamentare sepse jemi këtu pas 84 vitesh. Deklarata është instrument i qëndrimeve politike nga ana e Parlamentit, duke u shprehur për një çështje me interes kombëtar.
Mbajtja e këtij ligji është fyerje për dinjitetin dhe sovranitetin tonë. I takon këtij Parlamenti që të tregojë se Shqipëria është vend paqedashës dhe i pavarur. Kjo deklaratë kërkon zyrtarisht nga Parlamenti i Greqisë heqjen e ligjit të luftës dhe pasojave juridike e pronësore. Ky ligj absurd ngjan me ato minat e fshehura dhe të ndryshkura të Luftës së Dytë Botërore, që nga pakujdesia mund të shpërthejnë çdo moment. Prandaj duhet çaktivizuar.
Më tej, kreu i PDIU-së shpjegoi se çfarë synohet me këtë deklaratë:
Synojmë që në planin e marrëdhënieve dypalëshe ta sjellim dialogun me vendin fqinj në terren konkret dhe jo të kujtohemi për ligjin e luftës sa herë kemi kriza me Greqinë. Përfshirja e Parlamentit është nxitje në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, për t’i dhënë fund një situate absurde.
Kemi shumë muaj që punojmë për këtë deklaratë dhe diferenca mes deklaratës dhe rezolutës është e madhe, sepse rezoluta vërtet është qëndrim, por ajo i adresohet vetëm institucioneve të brendshme, kurse deklarata është akt politik që ngarkon institucionet e brendshme, por i drejtohet edhe institucioneve të huaja. Ju kujtoj që me deklaratë është shpallur edhe Pavarësia e Kosovës.