Sport

Liga e Kombeve, Sylvinho ndryshon listën/”Ikën” Armando Broja, vjen Myrto Uzuni!

Pas aventurës në “Euro 2024”, Kampionatit Europian të Futbollit të mbajtur në Gjermani, tashmë shtatori rikthen emocionet kuqezi. Nga sot, Kombëtarja shqiptare nis punën e plotë për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë do të luajnë dy duele me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, sfida të vlefshme për Ligën e Kombeve. Këto janë përballjet e para për “djemtë” e Sylvinhos, të cilët ndodhen në Ligën B dhe grupin B1, ku ndaj ukrainasve luajnë më 7 shtator në transfertë e kundër gjeorgjianëve, më 10 shtator.

Ndërkohë, trajneri Sylvinho ka dalë në konferencën e parë për shtyp në prag të grumbullimit.

Armando Broja nuk do të jetë në dispozicion me ne. Kemi mbetur në kontakt me stafin mjeksor të ekipit të tij dhe na kanë njoftuar se ka një problem me tendinën e Akilit. Do t’i duhen rreth 10 ditë rikuperim, kështu vendosëm ta zëvendësojmë me Uzunin.

-Koha për Etrit Berishën ka përfunduar?

Kombëtarja është e hapur për të gjithë. Berisha nuk ka një kontratë prandaj e humbet këtë periudhë. Po punojmë për të ndërtuar ekipin, kështu që është e hapur për në vazhdim.

-Keni tentuar të kontaktoni me Brajan Grugën për të ardhur te Shqipëria?

Një pjesë e rëndësishme e punës sot është mbledhja e talenteve. Kemi 3 milion banorë në Shqipëri, por shumë të tjerë janë jashtë. Eshtë e vështirë, nuk është një punë sekrete. Ai ka dy nacionalitete. Kur lojtarët kanë interes, ata kontaktohen. Nuk mund të them se çfarë po bëhet konkretisht, por po bëhet një punë shumë e mirë.

-E shihni Ligën e Kombeve si një mundësi për të freskuar skuadrën apo do të jeni racionalë sikurse keni qenë në shumicën e kohës?

Liga e Kombeve na jep një dorë të mirë për botërorin. Ndeshjet me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Çekinë do të jenë të forta. Jemi një kombëtare që po rritet. Në listën që kemi përpiluar vetëm Zeka dhe Spahiu janë thirrur për herë të parë. Duhet të bëjmë vlerësime, por jo eksperimente. Ne futemi në fushë me shpirt dhe me zemër.