Sport

Liga e Kombeve, sot Gjeorgji-Shqipëri!

Liga e Kombeve, sot luhet ndeshja Gjeorgji-Shqipëri në stadiumin “Mikheil Meskhi” të Tbilisit, në orën 18:00. Trajneri i kombëtares shqiptare, Sylvinho në një dalje për mediat theksoi se do të luajnë vetëm për fitore. Tekniku nuk e nënvlersoi kundërshtarin, pavarësisht mungesave që kanë gjeorgjianët.

Gjeorgjia ka lojtarë shumë të mirë, secili nga lojtarët që do të futet në fushë do të ketë cilësi dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Kemi shpenzuar shumë energji në ndeshjen e kaluar, ishte një ndeshje e vështirë. Do të jetë edhe kjo një ndeshje e vështirë, por në grupin që jemi ndodhin surpriza. Kemi lojtarë të cilëve u besojmë 100% për t’u futur në fushë.

A ndiheni në presion para ndeshjes?

Duhet të marrim pikë, pasi bëhet i vështirë objektivi. Na shërben vetëm fitorja. Ata janë shumë të fortë, por dhe ne jemi ekip shumë i fortë.

Pasditen e djeshme, kombëtarja shqiptare zhvilloi seancën e fundit stërvitore në “Mikheil Meskhi Stadium” në prag të ndeshjes së sotme.

Skuadra zhvilloi një seancë të plotë stërvitore, që zgjati pak më shumë se 1 orë. Në minutat e para u fokusua te përgatitja atletike, ndërsa më pas, te loja me top dhe provimi i situatave apo skemave të ndryshme të lojës, duke provuar edhe goditjet në portë. Lojtarët janë në gjendje të mirë dhe nuk ka probleme fizike. Të gjithë janë të gatshëm për të dhënë maksimumin ndaj Gjeorgjisë.

Gjeorgji-Shqipëri në Ligën e Kombeve pason atë Çeki-Shqipëri në Pragë ku ekipi çek na mundi me rezultatin 2-0, një humbje që rëndon e ngre pikëpyetje për rrugëtimin e Ligës së Kombeve, kompeticion i nisur me pretendime të mëdha. Kjo humbje e vendos Shqipërinë në vendin e tretë me 3 pikë, aq sa Ukraina.

Po ashtu, përballja me Çekinë nuk kaloi pa provokime e skandale që kulmuan me përdhosjen e flamurit shqiptar e për gjithçka ndodhi në “Epet Arena”, reagoi Federata Shqiptare e Futbollit.

FSHF-ja reagoi menjëherë që në pushimin e pjesës së parë duke u kërkuar organizatorëve marrjen e masave të menjëhershme ndaj këtyre akteve për të mos radikalizuar veprimet me ndërprerjen e lojës. Futbolli është një lojë që bashkon dhe unifikon gjithë popujt duke promovuar barazinë e respektin për të gjithë, pavarësisht kombësisë apo përkatësisë etnike.