Sport

Liga e Kombeve, Shqipëria përballet sonte me Izraelin!

Shqipëria do të përballet me Izraelin sonte në orën 20:45 në “Air Albania”, me synimin për të marrë fitoren e parë në Ligën e Kombeve, që do t’i ngjiste kuqezinjtë direkt në vendin e parë me 4 pikë. Pas startit me barazim në Islandë të hënën, trajneri Reja ka bërë provat finale për formacionin teksa ndryshe nga Reikjaviku, pritet të bëjë plot 5 zëvendësime, ose gjysmën e formacionit.

Në mbrojtje pritet të ulet në stol Marash Kumbulla, për t’i lënë vendin Frederik Veselit, i cili do të plotësojë treshen me Ismajlin e Gjimshitin, të cilët do të vendosen para portës së mbrojtur nga Etrit Berisha.

Në mesfushë konfirmohen Balliu nga e djathta dhe Hysaj nga e majta, ndërsa në qendër Abrashi do të ketë në krah dyshen e Empolit Asllani-Bajrami, të cilët marrin vendet e Gjasulës e Çekiçit.

Ai që ndryshon tërësisht është reparti i sulmit, pasi Cikalleshi vuan nga një gjendje gripale, ndërsa Seferi do të ulet në stol, për t’u lënë vendin dyshes Broja-Uzuni, të cilët nuk ishin në dispozicion për sfidën në Islandë. Pikërisht te dyshja sulmuese janë edhe sytë e kuqezinjve për ndeshjen ndaj Izraelit.

Në Islandë, skuadra krijoi jo pak, por vuajti në finalizim, duke mos shkuar dot përtej barazimit 1-1.

Më herët, Reja doli në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes së dytë në grup në “Air Albania” dhe komentoi përballjet e mëparshme.

Ato ndeshje të mëparshme me Izraelin janë ndeshje të një historie tjetër, pasi kanë lojtarë të tjerë dhe po jetojmë realitete të ndryshme. Ndaj nuk mund të marrim diçka nga e kaluara, edhe pse ekipi ka ndonjë lojtar që ka qenë edhe atëherë. Eshtë një skuadër që vrapon shumë, me lojtarë të shpejtë e ofensivë, pasi edhe krahët e mbrojtjes marrin pjesë në aksione ofensive. Kjo mënyrë loje mund të lërë hapësira ku ne duhet t’i shfrytëzojmë, sidomos sa i përket fazës mbrojtëse. Të mos i lejojmë atyre që të krijojnë superioritet numerik dhe të nisemi me shpejtësi. Kjo është mënyra taktike që duhet të bëjmë mirë këtë ndeshje dhe të mundohemi ta fitojmë.