Sot në “Shtëpinë e Futbollit”, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit mbylli seancën e fundit stërvitore në prag të ndeshjes së ditës së nesërme ndaj Çekisë në kuadër të “Nations League”. Skuadra zhvilloi një seancë të plotë stërvitore, që zgjati pak më shumë se 1 orë.
Në minutat e para u fokusua te përgatitja atletike, ndërsa më pas stërvitja u perqëndrua te loja me top dhe provimi i situatave apo skemave të ndryshme të lojës, duke provuar edhe goditjet në portë.
I gjithë grupi gëzon formë të mirë fizike dhe deri më tani nuk ka asnjë lojtar me probleme fizike, teksa të gjithë lojtarët e ftuar do të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Çekisë.
Pas stërvitjes, Kombëtarja u kthye në hotel para udhëtimit me avion nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” i Rinasit drejt kryeqytetit çek Pragës. Ndeshja me Çekinë do të luhet të premten e 11 tetorit, në ora 20:45 në stadiumin “Epet Arena” dhe është e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Ndërkaq, pasditen e sotme në ora 18:30, trajneri Silvinjo dhe një nga lojtarët e skuadrës do të dalin në konferencën zyrtare për media për të folur për këtë ndeshje të rëndësishme.