Sport

Lidhje me kreun e një organizate kriminale, Tyson Furyt i ndalohet hyrja në SHBA!

SHBA i ka ndaluar boksierit të famshëm Tyson Fury që të shkelë në territorin e saj, për shkak të lidhjeve që mendohet se ai ka me Daniel Kinahan, një prej promotorëve të tij, i cili mendohet se është kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare. Mediat britanike kanë raportuar se 33-vjeçarit i ndalohet të udhëtojë drejt SHBA për shkak të Kinahan, i cili është sanksionuar dhe është shpallur në kërkim nga amerikanët.

”Nuk është çështje që më përket mua dhe unë nuk përfshihem në bizneset e të tjerëve. Fakti që unë kam një foto me të, nuk më bën një kriminel”, ishte komenti i Furyt dy muaj më parë, kur u pyet rreth faktit që ish-promotori i tij tashmë ishte një person i kërkuar nga drejtësia në SHBA.

Thuajse e gjithë familja Kinahan është në listën e zezë të SHBA që ka lëshuar urdhër-arresti për pjesëtarët e saj dhe ofron shpërblim deri në 5 milionë dollarë për informacione që çojnë në kapjen e tyre. Emri i Fjuri nuk del në asnjë nga dokumentet hetimore të publikuara deri tani, por ky vendim i SHBA tregon se kampioni i peshave të rënda vazhdon të mbajë lidhje me irlandezin e shumëkërkuar.