Bota

Lideri suprem i Iranit zhvendoset në një vend të sigurt!

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei është zhvendosur në një vend të sigurt brenda Iranit, nën masa të larta sigurie, siç deklaruan sot dy zyrtarë për agjencinë e lajmeve Reuters. Burimet, të cilat u njoftuan nga Teherani, thanë se “Republika Islamike është në kontakt të vazhdueshëm me grupin militant të Libanit, Hezbollah, si dhe me grupet e tjera përfaqësuese në rajon, për të vendosur për hapat e radhës”.

Kjo pasi Izraeli njoftoi se e ka vrarë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në një sulm ajror në Bejrut një ditë më parë. Njoftimin e konfirmoi sot edhe vetë grupi.  Zëdhënësi i ushtrisë izraelite në gjuhën arabe, Avichay Adraee, tha në një komunikatë në X se “Nasrallahu, Ali Karki, komandant i Frontit Jugor të Hezbollahut, si dhe një numër komandantësh të tjerë janë vrarë”.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit postuan një mesazh në X, ku theksuan edhe se “Hassan Nasrallahu nuk do të jetë më në gjendje që ta terrorizojë botën”.

Hezbollahu konfirmoi sot se lideri i tij, Hassan Nasrallah mbeti i vrarë dje gjatë sulmeve masive izraelite në Bejrut.

Sayyed Hassan Nsarallah, sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, u është bashkuar bashkëluftëtarëve të vet të mëdhenj dhe martirë, të cilët i udhëhoqi për rreth 30 vjet, njoftoi grupi militant pro-iranian në një komunikatë zyrtare.

Hezbollahu është zotuar se do ta vazhdojë luftën kundër Izraelit, pavarësisht vdekjes së liderit. Ushtria izraelite bëri të ditur se e kreu një sulm ajror preçiz në selinë qendrore të Hezbollahut në Dahieh, ku ishin mbledhur liderët e Hezbollahut.

Dje gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kryeministri Benjamin Netanyahu i dha një paralajmërim të ashpër armikut të tij të vjetër, Iranit, duke thënë se “nuk ka vend në Iran ku Izraeli nuk mund të arrijë”, nëse Republika Islamike vazhdon të përpiqet ta sulmojë shtetin hebraik.

Ne do të vazhdojmë që të dobësojmë Hezbollahun deri sa t’i përmbushim të gjitha synimet tona.